Mesazhi politik i Papa Leonit XIV, ironia e Vatikanit kundër Donald Trump
Shkruar nga Gjergj Zefi
Papa i parë amerikan është një progresist që sfidon hapur doktrinën sovraniste të Trump-it dhe të konservatorëve amerikanë…
Donald Trump ishte i pari lider në Botë që reagoi për zgjedhjen e Papa Leonit XIV, Papa i parë amerikan në historinë e Vatikanit. Natyrisht, reagimi i tij erdhi gjithë shend, siç ndodh rëndom me Presidentin, sidomos në një kohë kur thuajse asnjë nga objektivat e tij politike brenda apo jashtë Amerikës nuk është realizuar. Sigurisht, askush në Shtëpinë e Bardhë nuk do të linte t’i shpëtonte ky rast historik pa e përdorur politikisht.
Por duket se Trump-i është nxituar, pasi mesazhi që erdhi nga Kapela Sistine nuk ishte aspak në linjë me ideologjinë konservatore e sovraniste të Presidentit amerikan. Përkundrazi, zgjedhja e Papa Leonit XIV duket një shuplakë simbolike ndaj botëkuptimit që Trump dhe konservatorët e tij përfaqësojnë.
Papa i ri, Robert Francis Prevost, është në çdo aspekt i kundërti i Trump dhe lobit konservator amerikan. Ai vjen nga një familje emigrantësh, diçka që padyshim ‘duhet t’ia ketë bërë shumë qejfin Presidentit’, i njohur për ‘dashurinë’ e tij të pamasë ndaj emigrantëve! I formuar thellësisht në traditën europiane dhe krejt i ndryshëm nga modeli tipik amerikan i një katoliku që shkon në Kishë vetëm për Pashkë apo Krishtlindje, Prevost është figura e një lideri fetar shumë më të afërt me problemet reale të komuniteteve.
Në një ironi perfekte të historisë, Papa Leoni XIV mbajti fjalimin e tij të parë jo vetëm të përgatitur me kujdes, por edhe në uniformën e kuqe të kardinalit, një simbolikë e qartë doktrinare dhe politike, duke bërë “dhuratën” më pak të dëshiruar për konservatorët amerikanë.
Mesazhet e para të Papa Leonit XIV nuk lanë vend për interpretim: “Krishti i Rilindur na do të gjithëve pa dallim”. Kjo deklaratë është qartësisht kundër përpjekjeve konservatore për të përpiluar lista të “të mirëve dhe të këqijve”. Më herët, Prevost është përplasur publikisht me ikonën ideologjike të së djathtës amerikane, nënpresidentin J.D. Vance, duke i kujtuar me humor se Jezusi nuk kishte dhënë kurrë udhëzime për të bërë lista të preferencës së dashurisë njerëzore.
Një tjetër mesazh ironik që mund ta ketë bërë Trump-in të ‘kruajë’ kokën me konfuzion ishte thirrja për një paqe “pa armë dhe pa kërcënime lufte”, një koncept krejtësisht i huaj për një President që është i njohur për negocimet e tij të “suksesshme” që zakonisht fillojnë me kërcënimin e zhdukjes së palës tjetër.
Në fund, zgjedhja e një pape amerikan nuk është aspak një fitore për Trump-in apo konservatorët e tij. Përkundrazi, duket sikur Vatikani vendosi me kujdes për të përzgjedhur një lider fetar që është shumë larg asaj që konservatorët amerikanë ëndërronin. Dhe ironia më e madhe: tashmë në krye të Kishës Katolike Universale është një Papë progresist, anti-sovranist dhe, me gjasë, një pengesë e re e fortë për planet politike të konservatorëve në SHBA dhe gjetkë./Pamfleti