Më shumë vota të numëruara sesa vota në total, Celibashi sqaron fotografitë virale
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ka folur lidhur me mospërputhjen e shifrave për votën e diasporës në faqen zyrtare të KQZ, e cila ka ngjallur reagime.
Sipas shifrave ka më shumë vota të numëruara, se sa vota janë në total. Celibashi tha se të dyja shifrat janë të sakta, por thekson se shifra më e ulët tregon shifrën e zarfeve të skanuar, ku mungon zarfi B.
“Numrat që janë aty janë shifra të vërteta, por pasqyrojnë të dhëna që nuk janë në kontradiktë me njëra-tjetrën. Numri i fletëve të votimit të vlerësuara, me shifrën që rezulton si më e ulët në faqen e internetit të KQZ, kjo e fundit ka të bëjë me ato zarfe që janë të administruar në sistemin elektronik të KQZ në mënyrë automatike.
Por ka jo pak dërgesa të votuesve shqiptarë në KQZ që nuk janë bërë në mënyrën e duhur. E kanë dërguar fletën e votimit të futur në zarfin A dhe jo në zarfin B, por si votë ka mbërritur në KQZ”, tha Celibashi për “Euronews Albania”.