Bajerni shkon për dyshen e ëndrrave, Diaz dhe Voltemejd
Liverpuli deri më tani ka refuzuar dy oferta nga Bajerni për Luis Diaz (28). E para ishte prej 52 milionë eurosh, ndërsa e dyta prej 67.5 milionë eurosh. Por tani duket se është arritur një përparim i rëndësishëm.
Siç mëson SPORT BILD, Bajerni po bën përparim në përpjekjet për të nënshkruar me kolumbianin. Ka tregues fillestarë që negociatat konkrete mund të nisin së shpejti. Pritet gjithashtu që të zhvillohet një takim mes drejtuesve të Bajernit dhe atyre të Liverpulit. Loja e “pokerit” varet gjithashtu nga një yll i Bundesligës që Liverpul dëshiron të afrojë: Hugo Ekitiké (23/Ajntraht Frankfurt). Thuhet se Liverpul është duke përgatitur një ofertë gjigante për sulmuesin. Nëse arrihet marrëveshja me Ekitiké, ata mund të jenë të gatshëm ta lënë Diazin të largohet. Ajo që është inkurajuese për drejtuesit e Mynihut në këto negociata, ka të bëjë me faktin se Diaz i ka bërë me dije Liverpulit se dëshiron të largohet nga klubi. Podkasti i BILD zbuloi gjithashtu se Diaz tashmë ka rënë dakord për një marrëveshje me Bajernin.
Kolumbiani u ka bërë me dije “Të Kuqve” muaj më parë se do të donte të largohej këtë verë. Sipas SPORT BILD, kushtet me lojtarin tashmë janë rënë dakord. Diaz pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare në Mynih deri në verën e vitit 2029 dhe do të fitojë rreth 14 milionë euro në vit. Kjo shifër mund të rritet në bazë të bonuseve për performancë. Deri së fundmi, megjithatë, klubi i mëparshëm i Jurgen Klop (58/tani Drejtor Global Sportiv te Red Bull) është treguar hezitues për ta lënë Diazin të largohet. Ai pritet të jetë pjesë kyçe e skuadrës për sezonin që vjen dhe më tej. Drejtuesit e Liverpulit raportohet se ia kanë komunikuar këtë gjë Bajernit, Barcelonës dhe klubeve të tjera të interesuara.
Sipas Kristian Falk, Bajerni do të tentojë të firmosë jo vetëm me Diazin, por edhe me sulmuesin premtues të Shtutgartit, Nik Voltemejd. Të dy lojtarët konsiderohen prioritete kryesore nga bordi bavarez dhe klubi nuk ka nevojë të kryejë shitje për të realizuar këto dy operacione. Madje, një pjesë e buxhetit të parashikuar për Florian Virtz mund të ridrejtohet në këto afrime, duke rritur ndjeshëm gjasat që Diaz dhe Voltemejd të zbarkojnë në “Allianz Arena”.