Punimet në hekurudhën Durrës-Tiranë, segmentet rrugore që bllokohen sot dhe nesër
Policia Bashkiake e Durrësit ka njoftuar bllokimin e përkohshëm të kalimit hekurudhor në zonën e Fushës Sportive në Sukth, për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore. Bllokimi do të zgjasë për dy netë radhazi, konkretisht sot dhe nesër, nga ora 00:00 deri në 04:00.
Në fokus të punimeve është rikonstruksioni i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë Terminali Publik i Transportit (TPT) si dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh Durrësin me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit (ANR). Punimet do të kryhen në kilometrin 10+418, në segmentin rrugor Sukth–Kullë dhe anasjelltas.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve nga Sukthi, Manza dhe Ishmi që përdorin këtë aks, të shmangin kalimin gjatë orarit të punimeve dhe të përdorin rrugë alternative për të mos u përballur me bllokim trafiku apo vonesa të panevojshme.
Ky bllokim është pjesë e projekteve të zgjerimit dhe modernizimit të infrastrukturës hekurudhore, që pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë e transportit publik dhe të lehtësojë lëvizjet ndërqytetëse në të ardhmen.
Njoftimi i plotë:
Njoftohen të gjithë drejtuesit e automjeteve të Njësisë Administrative Sukth, Manëz, Ishëm , të cilët përdorin segmentin rrugor Sukth- Kullë dhe anasjelltas Kullë- Sukth, në kilometrazhin 10+418 se, më datë 28.08.2025 deri më 29.08.2025 nga ora 00:00 deri në 04:00, në kuadër të rikonstruksionit të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë Terminali Publik i Transportit (TPT) si dhe ndërtimit të linjës së re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (ANR), do të kryhen punime që do të ndikojnë në qarkullimin rrugor në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth.
Gjatë këtij orari, ky kalim do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore nga punimet e kryera nga kompania.
Lutemi qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve të shmangin këtë segment rrugor gjatë orareve të sipërpërmendura dhe të ndjekin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë në terren për të mbikëqyrur dhe kontrolluar trafikun.