Çfarë ndryshoi në minutat e fundit? Tom Doshi refuzon të futet në Kuvend, jep dorëheqjen nga mandati i deputetit
Dy deputetët e PSD në Shkodër refuzojnë mandatin…
Një zhvillim i papritur ka ndodhur në minutat e fundit. Kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi ka refuzuar të marrë mandatin e deputetit. Sot pasdite u mblodh Kuvendi për betimin e deputetëve, por dy deputetët e PSD në Shkodër Tom Doshi dhe Dafina Jorgo kanë dhënë dorëheqjen.
Ka qenë Milva Ekonomi, e cila njoftoi se sekretariati për verifikimin e mandateve nuk gjeti asnjë problem për 138 kandidatë të zgjedhur, teksa njoftoi se Doshi dhe Jorgo kanë paraqitur dorëheqjen. Ata u zgjodhën të dy si deputetë në Shkodër. Dorëheqja është paraqitur ditën e sotme, ndërsa nuk dihen arsyet.
Para zgjedhjeve pati një përplasje të fortë mes Doshit dhe Ramës. Kreu i PSD e sulmoi disa herë mazhorancën, duke folur për lidhje me krimin dhe korrupsionin. Por pas zgjedhjeve duket se e uli kokën. Deputetët e PSD ndihmuan disa herë mazhorancën në Kuvend duke bashkuar votat me socialistët. Po ashtu Doshi pas zgjedhjeve e deklaroi hapur se do të jetë krah mazhorancës.
Duhet theksuar se kreu i PSD është “non grata” nga SHBA. në vitin 2021 ishte ambasadorja Yuri Kim që e detyroi të mos kandidonte në zgjedhje. Këtë herë Doshi shfrytëzoi tërheqjen amerikane dhe garoi, por duket se diçka ka ndryshuar. Mund të ketë qenë strategji, por e çuditshme se përse Doshi nuk e refuzoi mandatin që në KQZ, por vendoi të largohet sot.