Kryeministri Rama shkrin grupin “Veliaj”, e shkarkon nga bashkia e Tiranës dhe përzë Arbjan Maznikun nga qeveria dhe e hedh në duart e SPAK
Kryeministri Edi Rama, shënoi ditën e djeshme fundin e një epoke, shkrirjen e grupit “Veliaj”. Ai ka lënë pas krahëve marrëdhënien e tij me atë që për shumë kohë ishte menduar si pasardhësi i tij. Në Asamblenë e PS-së, ai kërkoi shkarkimin e Erion Veliajt. “Tirana ka shumë punë, nuk mund të jetë pa kryetar”, u shpreh Rama, duke thënë se Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të mblidhet për të shkarkuar Erion Veliajn. “Sot kemi një kryetar bashkie i zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo.
Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë’ tha kryeministri duke përfunduar procesin e delegjitimimit të Veliajt të cilit më parë i kishe hequr të gjithë besnikët nga postet kyçe në Bashki dhe të gjithë mbështetësit nga grupi i ri parlamentar. “Nuk është një propozim që e bëj me zëmër të lehtë, po Tirana nuk mund t gdhihet çdo mëngjes pa kokë, tha ai. Pa lënë asnjë hapësirë interpretimi, kryeministri propozoi edhe pasardhësen e Erion Veliajt, Ogerta Manastirliun.
Fundi i “dyshes së hekurt” Veliaj – Mazniku
Në të njëjtën frymë, Rama shkarkoi edhe Arbjan Maznikun si ministër i Pushtetit Vendor, duke mbyllur përfundimisht një kapitull që kishte nisur mbi 25 vjet më parë mes Veliajt dhe Maznikut. Miq që në gjimnaz, Veliaj dhe Mazniku kishin ecur bashkë në çdo hap: nga Këshilli Rinor Shqiptar, tek lëvizja “Mjaft” e mbështetur nga Soros, deri te krijimi i “G-99” në 2009 dhe hyrja në politikë përkrah Edi Ramës. Në vitin 2013, me ardhjen e socialistëve në pushtet, “99-shat” u shtrinë në administratën shtetërore: Veliaj ministër për Rininë, Mazniku zëvendësministër i Arsimit.
Dy vjet më pas, në 2015, Veliaj u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe vendimi i tij i parë ishte të kishte Maznikun në krah si zëvendësin më të afërt. Por me rrëzimin e Veliajt, bie edhe Mazniku. Ky i fundit jo vetëm që u shkarkua nga qeveria, por Rama duket se e ka hedhur drejtpërdrejt në gojën e SPAK. Burime nga organi i akuzës konfirmojnë se Mazniku është prej kohësh nën hetim, i është kontrolluar banesa dhe është thirrur disa herë për të dhënë dëshmi. Dosja ndaj tij konsiderohet e hapur dhe hetimet vazhdojnë, gjë që e bën largimin e tij një lëvizje të sinkronizuar nga ana e Ramës për të shpëtuar nga një figurë e komprometuar dhe për ta dorëzuar në duart e drejtësisë.
Si u shkri grupi i Veliajt?
Operacioni i Edi Ramës për të shkatërruar rrjetin e Erion Veliajt ka qenë shumë më i gjatë, më i planifikuar dhe më i pamëshirshëm sesa mendohej. Plani i Ramës nisi që në vitin 2019, kur kishte marrë sinjalet e para për një puç të brendshëm të orkestruar nga ish-struktura e G99 që drejtohet nga Veliaj. Kryeministri kishte hartuar një listë “armiqsh politikë” brenda vetë partisë së tij, ku Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në krye. Një nga goditjet e para ishte largimi pa zhurmë i Bardhylka Kospirit nga posti i zëvendësministres. Pak më pas, Juliana Hoxha u hoq në heshtje nga Ministria e Drejtësisë.
Klotilda Bushka, Plarent Ndreca dhe Etjen Xhafaj u lanë jashtë listës fituese në zgjedhjet e 11 majit, duke humbur çdo ndikim politik dhe duke mos u zgjedhur deputet. Më pas në vitin 2023, Endri Fuga, ish-zëdhënësi dhe strategu i komunikimit të Ramës, u hoq nga skena dhe sot, sipas burimeve, jeton në Indonezi. Me largimin e Maznikut, tashmë grupi i Veliajt mund të thuhet hapur se është shpërbërë.