Të rinjtë po ikin, Shqipëria humbet fuqinë punëtore

0
image

A Shehaj

Tregu i punës në Shqipëri ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, si pasojë e drejtpërdrejtë e tkurrjes së popullsisë dhe emigracionit në rritje, më shumë sesa zhvillimeve reale ekonomike.

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës të publikuar nga INSTAT, numri i të punësuarve mbi 15 vjeç zbriti në 1,171,084 persona, me një rënie prej 10,872 individësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – ose 0.9% më pak.

Rënia më e madhe u regjistrua tek grupmosha 15–29 vjeç, ku u humbën mbi 11 mijë vende pune, ndërsa në grupmoshën 30–64 vjeç u shënuan mbi 7 mijë të punësuar më pak.

Në të njëjtën kohë, numri i të papunëve ndryshoi pak, me një ulje modeste prej 311 personash, por rënia u përqendrua sërish tek të rinjtë, ku norma e papunësisë u ul me 5.6%, jo si pasojë e punësimit, por e largimit nga tregu i punës dhe emigracionit.

Forca totale e punës – që përfshin të punësuarit dhe të papunët aktivë – u reduktua me 11,183 persona ose 1%, ku grupmosha 15–29 vjeç përbën pjesën dërrmuese të kësaj rënieje (–22 mijë persona). Në të kundërt, grupmosha 30–64 vjeç pa një rritje të lehtë me 2,703 persona, duke sinjalizuar një zhvendosje të pjesëmarrjes në punë drejt moshave më të mëdha.

Popullsia inaktive mbi 15 vjeç u ul me rreth 5,400 individë, një ndryshim i vogël që tregon për një tendencë të kufizuar për rikthim në tregun e punës.

Pas Censit 2023 dhe të dhënave të fundit, Shqipëria ka humbur mbi 39 mijë banorë vetëm deri në fillim të vitit 2025, kryesisht të moshave të reja. Emigracioni masiv dhe rënia e lindshmërisë po ndryshojnë strukturën demografike të vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun e punës.

Të dhënat konfirmojnë se zhvillimet demografike po bëhen faktori kryesor që formëson tregun e punës në Shqipëri – më shumë sesa politikat aktive të punësimit apo zhvillimet ekonomike afatshkurtra.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading