Java e pestë e Kategorisë së Parë, 12 skuadra në provën e identitetit dhe objektivave
Kategoria e Parë rikthehet këtë fundjavë me një javë shumë interesante, ku të sot spikasin dy sfida me peshë të madhe për fatet e sezonit, Skënderbeu–Laçi dhe Besa–Lushnja, beteja në skajet e renditjes.
Skënderbeu–Laçi, busull për kreun
Në stadiumin e Korçës, sot ora 19:00, vendasit dhe Laçi përballen në një ndeshje që mund të përcaktojë drejtimin e kampionatit. Korçarët kryesojnë me 10 pikë, një më shumë se kurbinasit, dhe kanë treguar stabilitet si në fazën sulmuese, ashtu edhe në mbrojtje, me vetëm një gol të pësuar në 4 javë. Nga ana tjetër, Laçi me golashënuesin e tij, Olsi Myrta, 3 gola deri tani, është treguar skuadër pragmatiste dhe pretendon të ndalë ecurinë e bardhekuqve, për të marrë vetë stafetën e kreut. Kjo sfidë shihet si një “test gjeneral” për objektivat e dy ekipeve, që prej fillimit janë konsideruar favoritë kryesorë për rikthimin andej nga kanë ardhur, Superiorja.
Besa–Lushnja, beteja e krizës
Në Kavajë, Besa dhe Lushnja zbresin në fushë me një mision të vetëm, fitoren e parë sezonale. Në 360 minuta lojë të dyja skuadrat nuk kanë arritur të shijojnë triumfin, duke u ndalur vetëm në barazime apo humbje. Për Besën, që ka grumbulluar vetëm 2 pikë, kjo sfidë është një “shans i fundit” për të hyrë në vallen e pretendimeve, ndryshe do të duhet të mendojë më shpejt se zakonisht për mbijetesën. Nga ana tjetër, Lushnja e mbështetur te përvoja e disa emrave të rëndësishëm, do të kërkojë të shfrytëzojë momentin për t’u ringjallur dhe për të nisur një kapitull të ri. Ky duel pritet të ketë tension dhe emocion, pasi një tjetër hap fals do të thellonte krizën për njërin prej dy ekipeve. Lushnja shkon në fushën e Luzit me trajner kujdestar, zv.trajnerin Ledion Ruço. Me shumë mundësi në tribunë do të jetë edhe trajneri i ri i verdhejeshilëve, që pritet të marrë drejtimin e ekipit.
Sfidat e forta të së shtunës
Të shtunën do të luhen katër ndeshje të tjera, ku Kukësi pret Pogradecin në një duel direkt mes skuadrave që duan të ngjiten në pjesën e sipërme të tabelës. Luftëtari do të kërkojë më në fund fitoren e parë ndaj Ilirisë, ndërsa Kastrioti përballet me Burrelin në një ndeshje ku të dy ekipet kanë objektiva krejt të kundërt, krutanët të shkëputen nga fundi, ndërsa matjanët të mbeten në garën për kreun. Korabi–Apolonia sfida e fundit e javës, me fierakët që synojnë të ruajnë ritmin e fitoreve dhe të qëndrojnë pranë dyshes kryesuese, ndërsa dibranët mbeten në pritje të shijimit të fitores së parë.
Çfarë pritet
Java e 5-të pritet të jetë një pikë kthese për shumë ekipe. Një duel për kreun mes Skënderbeut dhe Laçit, një përballje jetike për Besën dhe Lushnjën, si dhe disa ndeshje që mund të rishkruajnë balancat e mesit dhe të fundit të tabelës. Ky është momenti kur kampionati nis të formësojë identitetin e vërtetë të skuadrave.
5 skuadra të Kategorisë së Parë ende nuk e kanë shijuar fitoren në kampionat. Lushnja, Luftëtari, Korabi, Besa dhe Kastrioti janë ekipet me “0” te kolona e fitoreve.