Përplasje të forta në Konferencën e Kryetarëve, mazhoranca refuzon kërkesën e opozitës për mocion me debat
Ka nisur me debate Konferenca e Kryetarëve këtë të martë, ku mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Partia Demokratike për një mocion me debat mbi programin qeverisës të kryeministrit Edi Rama. Gjatë diskutimeve pati një debat mes Taulant Ballës dhe Tedi Blushit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla theksoi se Kuvendi ka vendosur rregulla të qarta për mënyrën e ushtrimit të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, duke vënë në dukje se mocioni duhet të fokusohet në një çështje të vetme, sipas rregullores. Ai kritikoi mocionin aktual që përfshin shumë tema, duke theksuar se kjo nuk përputhet me rregullat e Kuvendit dhe kërkoi që opozita ta ripërpunojë kërkesën në përputhje me rregulloren.
“Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar një sërë mekanizmash në funksion të deputetëve, grupit të deputetëve apo Grupit Parlamentar për të ushtruar mbikëqyrje të ekzekutivit. Jo pa shkak, Kuvendi ka përcaktuar në nenin 98 mocionin për një arsye të veçantë dhe konkrete. Duke qenë se kërkohet mirëkuptim, do të keni gjithmonë mirëkuptimin tonë. E lexova mocionin, në të cilin ka 6 superçështje, ku në secilën ka shumë nënçështje. Rregullorja thotë një çështje. Në kërkesë ju caktoni disa makroçështje. Mjaftojnë dy çështjet e para që listoni, të cilat përfaqësojnë dy superçështje të mëdha me shumë nënçështje. Çështjen katër kërkoni integritetin e ministrave dhe më pas vazhdon me kriminalizimin e politikës shqiptare. Pra, z. Kryetar, jemi para një kërkese që nuk respekton as në formë, as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Në të kaluarën kemi bërë debat dhe jemi dakordësuar që të hartohet mocioni për një çështje të caktuar. Dy javë pas seancës së diskutimit të programit të qeverisë dhe përbërjes, e quajmë pikë të ezauruar. Kërkesa për mocion për debat ka 6 superçështje dhe asnjë çështje të veçantë. Jeni të mirëpritur ta risillni të modifikuar, vetëm në një çështje. Rregullorja nuk e thotë që në seancën e parë të diskutohet mocioni, por brenda 30 ditëve nga depozitimi”, tha Balla.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të PL-së akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullave dhe kushtetutës, duke theksuar se refuzimi i kërkesës për debat është një tentativë për të penguar funksionimin normal të parlamentit. Ai i bëri thirrje mazhorancës të pranojë debatin dhe të përballet me opozitën, duke paralajmëruar se politika po shkon drejt një ngurtësimi të panevojshëm dhe po humbet fryma e pluralizmit parlamentar.
“Mocioni me debat është pasqyra e dështimeve, korrupsionit dhe inkriminimit të Qeverisë dhe Edi Ramës. Nuk mund t’i mohoni opozitës mekanizmat e saj kushtetues. Po prishni debatin, po shkatërroni parlamentarizmin, po shkelni Kushtetutën. Frika juaj është tmerri nga aferat që mbani mbi supe. Refuzimi i kërkesës për mocion nga mazhoranca është përpjekje për të shkatërruar një tjetër të drejtë kushtetuese të opozitës. Pranoni debatin dhe përballjen me opozitën dhe mos u shmangni me procedura. Po vazhdoni të shkelni Kushtetutën dhe të thelloni paligjshmërinë. Po tentoni ta ktheni parlamentin në mauzole, ku të ketë vetëm mumje që nuk flasin dhe ku prezantohen vetëm mendimet e fantazmave si “Diella”. Ndalni provokimet ndaj opozitës. Refuzimi i mocionit është dëshmia se edhe seancën e votimit të Qeverisë dhe programit e prisni ju qëllimisht, sepse i trembeni debatit”, tha Blushi.