Propozimi i Trump për paqe, reagon Hamasi: Plani favorizon Izraelin, do përgjigjemi sapo të marrim tekstin e plotë
Plani amerikan për armëpushim në Gazën, i prezantuar sot nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë bashkë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka shkaktuar reagime në rradhët e Hamasit.
Ky propozim me 20 pika, i cili synon të përfundojë luftën midis Izraelit dhe Hamasit, ka marrë mbështetjen e Netanyahu-s, por zyrtarët e organizatës palestineze e kanë kritikuar si të njëanshëm, duke kërkuar tekstin e plotë para çdo vendimi.
Në një deklaratë ekskluzive për rrjetin televiziv Al Jazeera, zyrtari i lartë i Hamasit, Mahmoud Mardawi, e përshkroi planin si “një tekst që anon nga pala izraelite”.
“Ajo që u tha në konferencën për shtyp në lidhje me planin për t’i dhënë fund luftës anon nga perspektiva izraelite. Është afër asaj që Netanyahu këmbëngul për të vazhduar luftën”, theksoi Mardawi, duke nënvizuar se Hamasi nuk do të japë një përgjigje zyrtare derisa të marrë dokumentin e plotë.
“Ne duhet ta marrim këtë plan në formë të shkruar dhe të qartë para se të përgjigjemi. Plani duhet t’i arrijë Hamasit dhe organizatave palestineze”, shtoi ai, duke theksuar nevojën për një proces transparent.
Ndërkohë, një zyrtar tjetër i lartë i Hamasit konfirmoi për BBC-në se organizata nuk ka marrë ende asnjë propozim zyrtar nga Trump për një armëpushim të ndërmjetësuar. Megjithatë, ai u shpreh optimist, duke thënë se Hamasi mbetet “i hapur për të shqyrtuar çdo propozim që mund t’i jepte fund luftës në Gaza”, por me kusht që marrëveshja të mbrojë interesat e palestinezëve, të sigurojë një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza dhe të japë fund luftës së menjëhershme.
I pyetur për armët e organizatës, zyrtari deklaroi: “Armët e rezistencës janë një vijë e kuqe për sa kohë që vazhdon pushtimi. Çështja e armëve mund të diskutohet vetëm brenda kuadrit të një zgjidhjeje politike që garanton krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967.”
Plani 20-pikësh i Trump-it, i publikuar sot nga Shtëpia e Bardhë, përfshin kërkesa si lirimi i të gjithë pengjeve brenda 72 orësh, dorëzimi i kontrollit të Hamasit mbi Gazën, deradikalizimi i zonës si “territor pa terror” dhe një qeverisje tranzitore.
Trump theksoi se nëse Hamasi refuzon, Izraeli do të ketë mbështetjen e plotë amerikane për të “përfunduar” grupin militant, ndërsa Netanyahu e quajti planin “një mundësi historike për paqe”.