“Ushtari i mirë Begaj”, çfarë thonë juristët dhe konstitucionalistët për dekretin për zgjedhjet e Tiranës
Ligji nuk mund të parashikojë shkaqe për shkarkimin që nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit”. Konstitucionalistja e njohur, Aurela Anastasi, nuk ka asnjë dyshim. Referenca ndaj nenit 62 të ligjit për qeverisjen vendore, për “mungesën më shumë se 3 muaj në detyrë”, e përdorur për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, nuk mund të anashkalojë, sipas saj, nenin 115 të Kushtetutës, i cili ia beson Gjykatës Kushtetuese, vlerësimin e ligjshmërisë apo jo të vendimit të qeverisë ndaj një të zgjedhuri vendor. Ndryshe nga sa vlerësoi presidenti Bajram Begaj (“Ushtari i mirë Begaj duke iu bindur gjeneralit Edi Rama”), i cili dekretoi zgjedhjet e reja në Bashkinë e Tiranës, zonja Anastasi thotë se “zgjedhjet e reja mund të kryhen vetëm pasi ka dhënë vendimin Gjykata Kushtetuese”. “Këtë përgjigje e jep drejtpërdrejt neni 115 i Kushtetutës, i cili ka vendosur pezullimin automatik të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit vendor, kur ndaj këtij vendimi ushtrohet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Konkretisht, pika 2 e tij shprehet: Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Kushtetuta nuk kërkon të ketë ndonjë shqyrtim a vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e aktit. Ai është një pezullim i menjëhershëm, që nga momenti i regjistrimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një procedurë e veçantë, ndryshe nga rastet e tjera kur pezullimi kërkohet nga palët dhe Gjykata Kushtetuese vendos për të. Kërkesa kushtetuese që buron në këtë rast, është detyrimi i të gjitha institucioneve për të respektuar këtë pezullim.
Përmes këtij pezullimi automatik, Kushtetuta ka synuar të forcojë garancinë që vjen nga gjykimi kushtetues për të kontrolluar drejtësinë e shkarkimit të organit vendor. Madje, ajo e ka integruar Gjykatën Kushtetuese në procesin e shkarkimit të organeve vendore të zgjedhura drejtpërdrejt, si një filtër të fortë për t’i mbrojtur nga shkarkimi i padrejtë. Më tej, neni 115 vendos shprehimisht, detyrimin e Presidentit të Republikës që të caktojë datën e zgjedhjeve të reja për njësinë vendore, nëse Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave. Pika 3 e këtij neni sanksionon: Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse. Pra, qartazi zgjedhjet e reja mund të kryhen vetëm pasi ka dhënë vendimin Gjykata Kushtetuese, me të cilin të ketë konstatuar kushtetutshmërinë e ligjshmërinë e shkarkimit. Prandaj rasti në fjalë, lidhet jo vetëm me respektin ndaj parimit të autonomisë vendore, por edhe me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe juridiksionit të saj”, deklaroi ajo dje gjatë një interviste për mediat.
Argumentet e Presidentit
Më tej konstitucionalistja e njohur, Aurela Anastasi komentoi edhe faktin se presidenti këtë dekret për Tiranën e ka argumentuar me faktin se Veliaj duhet të ankohej në Gjykatën Administrative, pasi sipas tij, shkarkimi nga Këshilli i Ministrave për shkak të mungesës në detyrë për një periudhë tre mujore nuk hyn në juridiksionin kushtetues për të drejtën e ankimit, por në juridiksionin gjyqësor administrativ. E pyetur a mundet që një Gjykatë Administrative të shqyrtojë shkarkimin e një të zgjedhur vendor, ajo dha këtë përgjigje. “Kushtetuta thekson shprehimisht se, organi i zgjedhur i qeverisjes vendore mund të shkarkohet vetëm për “shkelje të rënda të kushtetutës” ose “shkelje të rënda të ligjeve”. Gjykata Kushtetuese ka krijuar një jurisprudencë të konsoliduar në lidhje me këto çështje. Prandaj, sido që t’i formulojë ligjvënësi shkaqet e shkarkimit, si shkelje e Kushtetutës apo si mosparaqitje në detyrë, etj., në çdo rast, vetëm Gjykata Kushtetuese vlerëson nëse sjelljet e të zgjedhurit vendor përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjit. Gjithashtu, ligji nuk mund të parashikojë shkaqe për shkarkimin që nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit. Do ta bënte ligjin antikushtetues. Unë gjykoj se ligjvënësi ka vendosur mosparaqitjen në detyrë, si një shkelje e rëndë e ligjit. Në çdo rast, Gjykata Kushtetuese do ta vlerësojë kur të shprehet për këtë. Asnjë shkak i parashikuar nga ligji nuk i shmanget dot gjykimit kushtetues”, u përgjigj konstitucionalistja Aurela Anastasi. Po ashtu, ajo u përgjigj edhe sa i takon pyetjes se a mund të ankimohet në Kushtetuese ky dekret i kreut të shtetit dhe në çfarë forme. “Në parim, organi vendor i shkarkuar legjitimohet të ankojë dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja vendore. Por, deri më sot, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin që dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, mund të ankohen në Gjykatën Administrative. Me këtë arsyetim, në një rast, Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar për gjykim kërkesën e një prej partive politike që kërkonte pakushtetuetshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo lidhet me natyrën e aktit të Presidentit të Republikës, për të cilin edhe në teori kemi mjaft debate”, nënvizoi konstitucionalistja Aurela Anastasi.
Reagon juristi Hazizaj
Ndërkohë edhe juristi dhe konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj i bën një intepretim dekretit të presidentit Begaj në lidhje me shpalljen e datës së zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë pas shkarkimit të kryetarit Erion Veliaj pa pritur që të shprehet Gjykata Kushtetuese. Madje Hazizaj bën dhe një intepretim ligjor. “Kushtetuta është më e qartë, më e saktë më e kuptueshme sesa çdo lloj përpjekjeje për ta intepretuar dhe shërben si burim themelor edhe për ligjin 139/ 2015 për vetëqeverisjen vendore. Nëse shkarkohet nga këshilli i ministrave, ankimi bëhet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Nëse avokatët e Veliajt do kishin ankimuar më Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë presidenti do të dilte e do të thoshte që duhej të kishte ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe nëse do të kishte ankimuar në të dyja rastet atëherë do të pritej vendimi i gjykatës së parë që ta nxirrte jashtë kompetencës për të nisur lëvizjen gjykata tjetër. Ose gjykata tjetër do të niste lëvizjen vetiu pa konsideruar gjykatën e shkallës së parë. Kjo frymë nuk ka lidhje as me ligjin e Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje të kahershme faktit se ku ankimohen kur kryetarët e bashkive shkarkohen apo nuk funksionojnë për arsye të parashikuara në ligj. Këto formate janë mësëmiri të sqaruara në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai gjatë një prononcimi për mediat. Më tej Hazizaj e thotë qartë se dekreti i presidentit Begaj është jo kushtetues. “Ne kemi kohë që i jeni larguar parimeve themelore të ngritjes dhe mirëfunksionimit të shtetit. Ka rënë rendi kushtetues. Dekreti është pasojë e mungesës së qartësisë së Presidentit për datën e zgjedhjeve. Dekreti është sa jo kushtetues, edhe në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore”, nënvizoi juristi Hazizaj.
Manjani kundër Begajt për dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë
Nga ana tjetër, edhe juristi Ylli Manjani ka reaguar me nota të forta kritika pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, që zgjodhi datën 9 nëntor për zgjedhjet në 6 bashki, mes të cilave edhe atë për Tiranën, edhe pse çështja për këtë të fundit është në Gjykatën Kushtetuese. Manjani thotë me ironi se nëse këtë dekret do e kishte nxjerrë Ilir Meta kur ishte president, do ishte ngritur direkt komision për shkarkimin e tij. “Nejse, ndoshta nuk vlen më asnjë sekondë i harxhuar për të sqaruar Kushtetutën e vendit. Në fakt e kemi stër-sqaruar nenin 115 të saj në çdo okazion publik. Vetë Gjykata Kushtetuese në qëndrim publik dje ka thënë se “…vendimi i qeverisë është automatikisht i pezulluar”. Por nëse dekretin e sotëm do ta kishte nxjerrë Ilir Meta do ishte ngritur direkt komision hetimor dhe, do ishin çelur proçedurat për shkarkim. Besoj e kujtoni hetuesinë e Ulsiut në krye të komisionit kundër Metës. Një gjë dua ta them qartë: E kuptoj plotësisht nevojën politike të një Kryeministri apo të një partie që qeveris për të bërë zgjedhje blic. Është padyshim në të drejtën e tyre politike të kërkojnë e gjejnë zgjidhje. Ashtu siç edhe PD e Bashës ishte në të drejtën e vet të kërkonte shtyrje zgjedhjeve vendore të 2019-s. Unë vetë jam në favor të zgjedhjeve. Por nuk kuptoj fare, po fare fare as Metën dje, kur lëshoi dekret për anulimin e zgjedhjeve e as Begajn sot që dekreton zgjedhje pa vend vakant. Që të dy kanë dhunuar kushtetutën e shkruar! Presidenti i Republikës është shtet, jo pushteti”, shkruan Manjani në rrjetet sociale.