Dosja e “Rrumit të Shijakut”, Dervishi: Rasti më i rëndë ku përmendet Monika dhe Rama, si funksiononte mafia e pronave
Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur për dosjen e “Rrumit të Shijakut” vuri në dukje se më në fund kemi një goditje serioze të mafies së pronave në Shqipëri.
Duke shpjeguar skemën, Dervishi thotë se grupi kriminal u vinte syrin pronave pa zot, të shtetit, përmes ndihmës së pronave të ligjshme të fshatarëve, dhe mandej kryheshin falsifikime në Hipoteka.
Në dosje përmendet edhe emri i Monika Kryemadhit dhe Edi Ramës.
“Nëse kishte një mafie pronash të fuqishme në Shqipëri ishte ky grup. Flitej nga të gjithë asnjëherë s’ishte goditur seriozisht. Më në fund kemi një goditje serioze të mafies së pronave në Shqipëri, ose më saktë të mekanizmit apo grupimit më të madh në Shqipëri që merrej me pronat në Gjirin e Lalzit. Ishte shumë i fuqishëm si grup.
Del në përgjime se ata kanë konflikt me bandën e vjetër të Durrësit, Lul Berisha, Plaurent Dervishaj. Ata ishin në konflikt me këtë bandë dhe s’e kishin për gjë t’i binin kësaj bande, të organizonin atentate. Lekët bëheshin duke shitur pronat e shtetit dhe të qytetarëve në Gjirin e Lalzit, një zonë turistike, e kërkuar. Nuk është një skemë që e bëri Rrumi, është bërë më herët. Më figuron këtu e 20 vjet e njohur si skemë. Ka disa lloje pronash, prona të shtetit, ish-kooperativistëve, etj. Këtyre pronave shtet, pa zot, u vihet syri, përmes ndihmës së një prone të ligjshme.
Në bashkëpunim me fshatarin, ata i thonë, këtë tokën tjetër, prona jote e prek këtu, dhe të takon sepse e ke patur kullotë. Ata i thonë e dimë ne. Futen dhe falsifikojnë në Hipoteka dhe këtë pronë ia quajnë si pronë të kthyer fshatarit sikur e ka kullotë. Ia quajnë si pronë të kthyer dhe ia bëjnë pronë me letra. Ia blejnë me një vlerë minimale, ku ai prapë është i kënaqur. Kështu funksionon kjo lloj mafie. Sa lexova unë në dosje, ishin të paktën 20 pasuri që ishin marrë një për një. Ishte një pasuri që i përkiste Kujtim Dervishit.
Kjo pasuri në 2005 rezultonte 14 mijë metra katror, ndërkohë tani janë 24 mijë. Janë shtuar 10 mijë metra katrorë. Panë që është falsifikuar. Kur pasuria është pyll nuk kthehet sipas ligjit, kthehet toka bujqësore dhe pemishte. Aty ku lexonte pyll është falsifikuar dhe është bërë pemishte. I është kthyer këtij njeriut dhe ia kanë shitur dikujt, ky dikush s’është më shumë se Andi Maloku, shoferi që u vra në makinë.
Shitja është 2 milionë lekë. Ndërkohë që pasuria vlen 100 apo 200 herë më tepër. Më bëri përshtypje që si ka mundësi që ishin 5-6 emra dhe kush janë këta që i kanë bërë këto pune te Kadastra. I gjati që përdoret mund të jetë Edi Rama. Flitet një muaj, muaj e gjysmë pas tërmetit, ku kërkoheshin për ndërtime. Nuk mund të hedhësh baltë. Ishte më i rëndë rasti ku përmendet Monika, pasi flitet për vota.”, tha Dervishi për MCN.