Ndizet beteja për Tiranën, dalin të tjerë kandidatë që do të sfidojnë Manastirliun, nga Qori, te Binaj dhe Haxhimali.

0
image

Afati i opozitës për kandidatët e pavarur po shkon drejt fundit dhe emrat e parë tashmë janë në garë për Bashkinë e Tiranës. Në mesin e tyre janë politologu Ermal Hasimja, aktori Florian Binaj dhe eksperti Agron Haxhimali që kërkojnë mbështetjen e opozitës. Partia Demokratike dhe aleatët pritet të vendosin brenda mesjavës, secilin prej tyre do të përkrahin në zgjedhjet e 9 nëntorit. Kandidatët që kërkojnë mbështetjen e opozitës, por që do të garojnë si të pavarur në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, janë tashmë në tryezën e Sali Berishës, i cili u dha 48 orë afat për të shprehur interesin e tyre. Në rrjetet sociale dhe media, disa prej tyre e pranuan publikisht sfidën. Politologu Ermal Hasimja, ish-këshilltar i Berishës gjatë qeverisjes së tij dhe aktualisht analist në disa televizione, ka konfirmuar gatishmërinë për të hyrë në garë përballë Ogerta Manastirliut të PS-së dhe Arlind Qorit të Lëvizjes Bashkë.

Aktori Florjan Binaj shpall kandidaturën për Bashkinë e Tiranës: Na duhet një drejtues qytetar

Një tjetër emër i njohur është aktori Florian Binaj, i cili njoftoi në “Facebook” vendimin për të kandiduar, duke thënë se synon “të përfaqësojë qytetarët përtej ndasive politike, me ndershmëri dhe barazi për të gjithë”. Binaj njihet si aktivist i shoqërisë civile dhe si figurë e dashur e ekranit. Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qenë frytdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë.

Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqësuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve. Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta. Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjendja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit! Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen. Faleminderit”, shkruan Binaj.

Kandidat për Bashkinë e Tiranës, Haçkaj: Jam gati të përballem me regjimin në këtë sfidë

Ndërkohë, Florian Haçkaj, nipi i Halim Kosovës dhe përfaqësues i nismës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ka shprehur gjithashtu interes për garën, duke theksuar rolin e diasporës dhe të rinjve në politikë. “Nuk e di se kush nga ata më ka propozuar, por di se kanë qenë edhe nga aleatët e tjetër përveç PD-së. Pse ndihem i vlerësuar unë? Sepse vlerësohet puna e Diasporës. Tirana ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese. Thyejmë mitin që shqiptarët të bëhen bashkë. Një betejë kjo e fituar edhe ndaj qeverisë, pasi diaspora u përfshi më në fund edhe diaspora votoi”, u shpreh Haçka në një intervistë për mediat. Por ai vuri theksin te kandidatura përbashkuese dhe veçanërisht vota e diasporës. Ai tha gjithashtu se merrte shembull nga daja i tij, doktor Halim Kosova, teksa është aktiv në jetën politike në Shqipëri dhe në çështjet e diasporës, pasi jeton edhe në Gjermani.

“Ndaj ndihem edhe i nderuar, për shkak të mbështetjes së madhe që kam pasur. Unë jam gati të përballem me regjimin, nëse krijohet ekipi i duhur. Unë kam një shembull, dajën tim Halim Kosova, që ka marrë mijëra vota edh mbi partinë, sepse kjo është e rëndësishme, të jetë figurë përbashkuese”, deklaroi Haçka. Florian Haçka komentoi edhe akuzat e Adriana Kalasë se ishte një nga emrat e mbështetur nga Soros dhe i infiltruar brenda PD-së. “Unë e vlerësoj dhe respektoj zonjën Adriana Kalaja, por energjitë sugjeroj t’i kthejmë kundër regjimit dhe jo ndaj vetes. Unë refuzoj t’i përgjigjem asaj dhe bëj thirrje për t’iu përgjigjur regjimit të Ramës, unë betejën e kam me këtë regjim. Vota e diasporës është e rëndësishme dhe duhet ta them se edhe KQZ nga ana e saj nuk duhet ta kishte njohur rezultatin e votës së diasporës të 11 majit, sepse jo më kot tani nuk paguan DHL-në për mangësitë”, tha ai.

Pyetjes nëse e ka kontaktuar kreu i PD-së Sali Berisha, ai u përgjigj se jo, por ka biseduar me përfaqësues të tjerë që i sugjeruan emrin si kandidaturë dhe që ishte një surprizë për të. “Parimisht jam gati por duhet që gjërat të piqen. Zoti Berisha nuk më ka kontaktuar. Propozimi jo surprizë, më pyetën nëse doja të isha kandidat”. Kurse për dyshimet e kundërshtarëve për shtetësinë shqiptare, Haçkaj nënvizoi: “Sigurisht që kam shtetësinë shqiptare dhe sigurisht që do të kthehem aty nëse do të zgjidhem kandidat. Kam vite në Gjermani, por jam aktiv dhe vij shpesh në Shqipëri. Unë jam i gatshëm, e thashë, ndihem i nderuar dhe i privilegjuar”. Në fund ai shpalosi edhe planin dhe projektet kryesore për ta shndërruar Tiranën dhe zgjidhur problematikat që ajo ka, nëse do të jetë kandidat zyrtar në fushatë dhe më tej nëse do e merrte votën e qytetarëve.

Agron Haxhimali shpall kandidaturën: Gati për Tiranën e qytetarëve, jo të politikës

Ndërkaq në listë është edhe Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor dhe drejtor i Institutit për Demokraci Vendore, i cili për herë të parë kërkon të kalojë nga analiza në drejtim. “Gati t’i shërbej Tiranës. Gati të udhëheq për një Tiranë më të drejtë e më të hapur. Gati për Tiranën e qytetarëve, jo të politikës”, shkruan Haxhimali në rrjetet sociale. Por nuk reshtin së dalë kandidatë “të pavarur” ashti siç tha Sali Berisha që do t’i mbështesë PD-ja. Pas Florjan Binajt, që është atashuar në televizionin e familjes, një tjetër emër del pikërisht nga kuzhina mediatike Berisha. Një nga përkrahësit dhe pjesëmarrësit në PD-në aktuale, Bislim Ahmetaj, ka propozuar që si kandidate për kryetare bashkie të jetë Sonila Meço. “Gazetarja Sonila Meço, do të ishte një kandidaturë dinjitoze,  për ta fituar Bashkinë e Kryeqytetit. E ditur. E pavarur. E angazhuar”. Sonila Meço, prej vitesh punon në televizionin e familjes.

Del në skenë edhe Fatos Lubonja

Nga ana tjetër, Alfred Lela, Drejtor i Komunikimit në Partinë Demokratike, ka propozuar publikisht kandidaturën e Fatos Lubonjës për të qenë kryetar Bashkie i Tiranës. Në një analizë, Lela thekson se kjo garë nuk është thjesht për drejtimin e kryeqytetit, por për përballjen, sipas tij me modelin autoritar të qeverisjes së Edi Ramës. Lela argumenton se Lubonja, me historikun e tij të rezistencës ndaj diktaturës dhe betejës së gjatë kundër autoritarizmit, është kandidati më i përshtatshëm për të sfiduar Ramën në këtë moment kritik politik. Ai e përshkruan Lubonjën si një zë i besueshëm, që mund të bëjë të qartë kontrastin mes qytetarisë së lirë dhe kontrollit të pushtetit të Ramës. “Partisë Demokratike i duhet të kthehet aty ku ka qenë njëherë.

Në vitin 2003, kur përballë Ramës vetë, kandidoi Spartak Ngjelën, asokohe një nga njerëzit pranë Berishës, por jo një ‘besnik’, dhe një prej elokuentëve të opozitës. Jo tek Avokati, të kuptohemi, por te një i ngjashëm në profil publik, që e lufton Ramën nëpërmjet Edi Ramës, nga skutat e tij të ndërgjegjes e nënndërgjegjes, të së shkuarës dhe të së tashmes. Këtë profil, më mirë se askush, e plotëson Fatos Lubonja. Lubonja është, sigurisht, më shumë se kaq. Në një Shoqëri të Rrafshët, të cilën Edi Rama ka luftuar shumë për të montuar në Shqipëri, ai është një prej shumë pak relieveve të mbetura. Ai ka burgun, rezistencën dhe mbijetesën kundër diktaturës në kurrikulën e jetës, ka betejën e ‘97 ës kundër Sali Berishës dhe të djathtës, dhe ka thuajse 2 dekada që lufton arketipin autoritarist të Edi Ramës, dikur mik i tij”, shkruan ndër të tjera Lela në rrjetet sociale. Megjithatë opozita pritet të marrë vendimin përfundimtar brenda mesjavës, për të vendosur se cilin prej kandidatëve të pavarur do të mbështesë zyrtarisht në garën e 9 nëntorit për kryebashkiakun e Tiranës.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading