Politikanë, qeveritarë, gjyqtarë, të gjithë vrapojnë të dënojnë aktin e vrasjes së gjyqtarit, sepse kur populli nis të kërkojë drejtësi jashtë ligjit, janë ata të parët që e ndjejnë frikën më shumë se kushdo – Nga Syrja Kurti

0
image

Ngjarja tragjike në sallën e gjyqit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, duket se ka tronditur qeveritarë, politikanë, gjyqtarë e shumë të tjerë që vegjetojnë rreth tyre.. Brenda pak minutash nga publikimi i lajmit, politika shqiptare , sistemi i drejtësisë, , qeveritarë deri në nivelet më të larta, shpërthyen me një valë reagimesh, ku secili garonte për të qenë “më i tronditur” dhe “më i dënuari me fjalë” se tjetri.

Presidenti Bajram Begaj u shpreh se e dënon aktin “me fjalët më të rënda” dhe se bëhet fjalë për një “sulm ndaj drejtësisë”. Një deklaratë që në çdo vend normal do të kishte peshë, por në Shqipëri tingëllon si frazë protokollare e përsëritur për çdo ngjarje ku shteti dështon.

Edi Rama nxitoi të dënonte aktin duke e quajtur të papranueshëm dhe kërkoi që autori të marrë dënimin maksimal.

Ministrja e Brendshme Koçiu doli gjithashtu me vrap para kamerave dhe në vend që të deklaronte dorëheqjen për nivelin e dobët të sigurisë në gjykata deri aty sa arrin në vrasje gjyqtarësh, kërkon dënimin maksimal të autorit, pavarësisht se gjyqtarë nuk janë vrarë as në Palermon e viteve 80 të shekullit që shkoi.

Ministrat e Drejtësisë si ai që iku dhe si ky që erdhi, dënojnë aktin dhe kërkojnë dënimin e autorit por si Manja dhe si Lamallari harrojnë që janë ata në krye të këtij sistemi drejtësie.

Deri edhe pastori i kthyer në politikan Toni Gogu e dënoi me të madhe aktin. Nuk mbeti askush pa shkruar dhe pa kërkuar dënimin maksmal të autorit.

Nga Shkodra, kryebashkiaku Benet Beci kujtoi me respekt figurën e gjyqtarit, duke rreshtuar meritat dhe karrierën e tij, ndërsa shmangu me kujdes pyetjen e vetme që qytetarët bëjnë sot: për ata që përmenda më lart se si mund të hyjë një person me armë në sallën e gjyqit?

Edhe nga ana e opozitës, Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi u kujdesën të dënonin me “forcën më të madhe” aktin dhe të kërkonin “dënimin më të rreptë ligjor”, sikur problemet e këtij vendi të zgjidheshin me superlativa.

Por përtej toneve të larta dhe ngushëllimeve publike, politika shqiptare sot duket e frikësuar, jo nga dhuna vetë, por nga mesazhi që ajo përcjell: njerëzit po humbasin çdo besim tek drejtësia dhe po e marrin atë në dorë vetë.

Kjo është arsyeja e vërtetë pse sot të gjithë “tronditen” me kaq nxitim. Sepse çdo plumb që bie mbi një gjyqtar, bie mbi fasadën e një shteti që prej kohësh ka lënë popullin pa mbrojtje dhe pa besim. Dhe kur populli fillon të kërkojë drejtësi jashtë ligjit, janë pikërisht ata, politikanët, që e ndjejnë frikën më shumë se kushdo.

Për ta mbyllur kam një pyetje për të gjithë ata që dënuan me kaq zell vrasjen tragjike, (të cilën e dënoj edhe unë) dhe në veçanti pyetja është për të gjithë ata gazetarë dhe analistë që nuk lanë gur pa përmendur të asaj prone që mori jetë njerëzish. A u interesua ndokush me të njëjtin zell të kërkojë të dijë se sa prona kanë gjyqtarët dhe politikanët?

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading