Ftesë për të shkuar larg- Poezi nga Syrja Kurti

0
image

Unë të kam treguar

por si duket ka ardhur koha për të ta thënë prapë

se nuk e pranoj dot

shpirtin ta shndrroj në diçka që me mua nuk ngjan

dhe veten ta fus në lëkurën e një njeriu tjetër

por askënd nuk bëj me faj për këtë

nuk ankohem dhe nuk them asgjë,

vetëm se brenda kësaj mospërshtatshmërie mund të jem tepër

se ashtu si unë me të

ndoshta dhe ky vend me mua nuk ndjehet rehat,

këtu ku të vdekurit janë edhe më të vdekur çdo natë

dhe ku të gjallët vdesin përditë pak e nga pak.

Unë e di

megjithëse mundohesh dëshpërimisht

që me një përtypje të sforcuar

kockat pa shije të ditëve akoma më pa shije

t’i kalosh poshtë me një heshtje ngjethëse

nuk do të mund t’’ia dalësh absolutisht,

e nëse do të vazhdosh ta bësh do të vdesësh edhe Ti pak nga pak

pa e kuptuar

si të gjithë të gjallët e tjerë këtu,

dhe nëpër ditët e mjegullta që qajnë në heshtje

do të më ngjash sikur një pikël shiu që rrëshqet në xham trishtueshëm

prandaj mos u sill më ashtu,

se nuk do të ketë kush të ngushëllojë se për disa kohë ndoshta nuk do të jem

do të provoj të iki larg, shumë larg

duke iu munduar që të kaloj vrimat e zeza

për të shkuar matanë universit

atje ku rri vëllai i njeriut të padukshëm

që të lutem pastaj nga atje

se ndoshta diçka mund të bëhet për këtë vend

ku njerëzit kanë harruar të buzëqeshin.

Por tani Ti je mësuar dhe e di që unë nuk iki askund

dhe nuk bëj asnjë punë pa pasur me vete një grua

sepse rruga bëhet më e lehtë dhe sado e largët të jetë e ka gjithnjë një fund

ndaj si thua

ndoshta është më mirë që të vish edhe Ti me mua?

S.K.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading