U gjurmua me ‘IMSI Catcher’, si u arrestuaAldo Avdyli; i merret ADN-ja dhe pyetet për 2 atentate në Tiranë

Shkruar nga Elton Qyno
Aldo Avdyli ka kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë Durrës, shtetasin Bujar Deliallisin. Kërcënimi mësohet të jetë kryer në periudhën kur SPAK kishte nxjerrë urdhër-arrestet dhe policia kriminale ka kryer kontrolle në Shijak dhe disa banesa me qëllim kapjen e Avdylit…
Aldo alias Elidon Avdyli, 37-vjeçari Shijakas, mjaft i njohur në botën kriminale dhe Policinë e Shtetit, u kap gafil në një apartament të marrë me qira nga Dorjan Sherifi.
Ai kishte zgjedhur të vendosej në këtë apartament shumë pranë një kazinoje që ndodhet tek “Liqeni i Thatë”, dhe informacionet e policisë kriminale flasin se Avdyli kishte arritur të strehohej në atë zonë me qëllim krijimin e një baze, për të krijuar më pas kushtet e kryerjes së një vrasjeje.
Por në gjurmë të lëvizjeve të tij kishte rënë një agjent policie, për shkak edhe të një gafe taktike që kishte bërë në fillim të muajit tetor 2025 vetë Aldo Avdyli.
Informacionet e klasifikuara të siguruara nga gazetari Elton Qyno flasin se Aldo Avdyli ka kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë Durrës, shtetasin Bujar Deliallisin. Kërcënimi mësohet të jetë kryer në periudhën kur SPAK kishte nxjerrë urdhër-arrestet dhe policia kriminale ka kryer kontrolle në Shijak dhe disa banesa me qëllim kapjen e Avdylit.
Kujtojmë se kjo ishte masa e dytë e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 37-vjeçarit, i cili tashmë akuzohet për organizimin dhe financimin e Edmir Koçit alias Malokut në vitin 2021 në Durrës.
Ndërsa masa e parë “Arrest me burg” ndaj Avdylit është vendosur në muajin maj 2024, duke e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Kjo pasi gjatë një hetimi të dosjes Nr. 59, gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj një emri të njohur të botës së krimit, Durim Bamit.
Sipas hetimit, Avdyli del se përfshihet në një skuadër prej më shumë se 16 personash, të cilët sigurojnë mjetet dhe planifikojnë eleminimin fizik të Durim Bamit, por realisht nuk ia dalin dot.
I vënë në presion nga masa e dytë e sigurisë, Avdyli mësohet të jetë vendosur në Tiranë. Por, teksa qëndronte i fshehur, ai ka kërcënuar me telefon nën/drejtorin e policisë së Durrësit, çka solli përqëndrimin më të madh të forcave dhe teknikës policore për kapjen e tij.
Për lokalizimin e Aldo Avdylit, policia kriminale ka përdorur paisjen përgjuese “IMSI Catcher”, një makinë elektrike izraelite, e cila është në gjendje të përgjojë dhe lokalizojë dhjetëra numra njëherësh.
