Ditë historike, mbyllen të gjithë rubinetat e gazit nga lindja, pse u kundërshtua vendimi nga dy vende të BE-së
Pas tre vitesh negociatash, lëshimesh dhe kompromise, Bashkimi Evropian vendosi të tërheqë një vijë të qartë. Dje, 27 shtetet anëtare miratuan një ligj të ri që ndërpreu përgjithmonë furnizimet me gaz rus për Hungarinë dhe Sllovakinë, pavarësisht kundërshtimeve të tyre. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, BE-ja kishte arritur të përfundonte pothuajse plotësisht varësinë e saj nga produktet ruse të energjisë, duke ndaluar importet e naftës, qymyrit dhe pjesës më të madhe të gazit rus. Megjithatë, gjatë këtij “divorci energjitik”, Budapesti dhe Bratislava e kishin kundërshtuar vazhdimisht këtë proces, duke argumentuar se nuk kishin alternativa të tjera dhe se një ndarje me Moskën do të shkaktonte një rritje të çmimeve dhe do të dëmtonte industrinë.
“Divorci energjitik”
Ekspertët nuk e pranuan këtë vlerësim, dhe shumë kryeqytete evropiane ishin tashmë të gatshme të anashkalonin kundërshtimin e dy shteteve. Ndërsa Rusia vazhdonte të shkatërronte infrastrukturën energjetike të Ukrainës, miliarda euro ende po rrjedhin nga Hungaria dhe Sllovakia në Moskë, sipas Ministrit Lituanez të Energjisë, Žygimantas Vaičiūnas. “Këto para po financojnë makinën ruse të luftës. Kjo është thjesht e papranueshme. Është koha për të treguar vullnet politik,” tha ai. Që nga ditët e para të pushtimit, Brukseli kishte vendosur një embargo ndaj naftës, karburantit dhe qymyrit rus, vendosur një limit çmimesh prej 47.60 dollarësh për fuçi për naftën ruse në tregun botëror dhe kishte ulur pjesën e gazit rus në konsumin evropian nga 45 në 13 përqind. Por Hungaria dhe Sllovakia vazhdonin të bllokonin paketat e reja të sanksioneve, duke kërkuar dhe duke marrë përjashtime të veçanta që u lejonin atyre të vazhdonin importimin e naftës ruse përmes tubacionit Druzhba, që kalon përmes Ukrainës, dhe kishin parandaluar sanksionet mbi sektorët rus të gazit dhe atij bërthamor.
Kundërshtimet
Në prag të votimit, si Budapesti ashtu edhe Bratislava bënë përpjekje të mëdha për të bllokuar miratimin e ligjit. Kryeministri sllovak, Robert Fico, kishte kërcënuar të bllokonte paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë nëse nuk merrte lëshime për ndalimin e gazit. “Ata gjithmonë gjejnë një mënyrë për të vonuar daljen nga gazi rus,” tha Vaičiūnas. “Por tani duhet të mbajmë një qëndrim të vendosur.” Të dy vendet argumentuan se ligji i ri do të kërcënonte sigurinë e tyre energjetike, do të rriste çmimet dhe do të godiste industrinë e rëndë. Kompania shtetërore hungareze e energjisë, MVM, kishte një kontratë afatgjatë me Gazprom-in rus deri në vitin 2036 dhe me SPP-në sllovake deri në vitin 2034. Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, e quajti propozimin “një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë energjetike të Hungarisë” dhe shtoi se “rrezikon performancën ekonomike dhe faturat e ulëta të shërbimeve për familjet hungareze.” “Nuk do ta lejojmë këtë!” shkroi ai në platformën X. Fico, nga ana tjetër, e quajti planin e ri të BE-së, të njohur si REPowerEU, një “veprim ideologjik të pakuptimtë.”
Alternativa
Megjithatë, ekzistontnjë alternativë. Analisti Tamás Pletser nga Erste Bank vlerësoi se ligji mund të rrisë çmimet e gazit në Evropën Qendrore me 5 deri në 10 përqind, por se ulja e kostove të tranzitit mund të neutralizonte deri në 40 përqind të kësaj rritjeje të çmimit. Ai shtoi se Hungaria tashmë kishte nënshkruar kontrata të reja për të blerë gaz të lëngshëm nga Evropa Perëndimore dhe Greqia, dhe nga viti 2027 mund të mbështetej edhe në gaz nga puse të reja në Rumani. “Industria është absolutisht gati,” theksoi Pletser. Komisioni Evropian gjithashtu theksoi se masat ishin hartuar për të mbrojtur sigurinë e furnizimit dhe për të kufizuar ndikimin në çmime. “Hungaria dhe Sllovakia nuk kanë bërë shumë për të diversifikuar burimet e tyre, ato i kanë sabotuar sanksionet dhe kanë pasur kohë të mjaftueshme,” tha një diplomat tjetër evropian. “Nuk ka rrugë tjetër përveçse t’i detyrojmë.