Qeveria e shkarkoi si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Gjykata Kushtetuese sfidon Ramën dhe thërret Veliajn të jetë i pranishëm

0
image

Rigels Seliman

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të jetë të premten më 31 tetor në seancën publike që do të mbahet në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për vendimin e qeverisë për shkarkimin nga detyra. Kushtetuesja më datë 9 tetor i ka dërguar shkresë Erion Veliaj në qeli, si palë në proces, duke e pyetur nëse do që të jetë i pranishëm në seancë. Ndërkohë, më datë 13 tetor kanë informuar Drejtorinë e Burgjeve “duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e Veliaj në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim”. Pasi është marrë konfirmimi nga Veliaj, Kushtetuesja thotë se kanë njoftuar edhe SPAK. Burime pranë saj thonë për Shqiptarja.com se në një rast të tillë e gjithë procedura ndiqet dhe zbatohet nga Burgjet dhe se nuk ka nevojë për leje nga Prokuroria e Posaçme.

“Në përgjigje të interesit të shprehur nga ana e koleges së A2 Cnn si dhe në kuadër të transparencës dhe shpërndarjes së informacionit publik, më poshtë gjeni informacionin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2  të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025. Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin  e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.  Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, njoftoi dje Gjykata Kushtetuese gjatë një reagimi për mediat. Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin e tij më 25 shtator nga qeveria, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak. Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por ky dekret u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga gjykata Kushtetuese deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading