Rrëmbyen një 27-vjeçar dhe e dhunuan brenda një apartamenti, arrestohen 2 vajzat e shpallura në kërkim; zbardhen emrat

Policia ka arrestuar 2 vajza që u përfshinë në pengmarrjen e një 27-vjeçari në Tiranë.
Sipas policisë, në pranga ranë 21-vjeçarja Monika Marku dhe 25-vjeçarja Suate Çeloaliaj. Dy të rejat akuzohen se bashkëpunuan me katër persona të tjerë, Lusjan Kimza, Asmireld Nimani, Agustin Kimza (të arrestuar) dhe Klajdi Limani, për të marrë peng 27-vjeçarin, të cilit i hoqën lirinë për disa orë dhe e dhunuan fizikisht brenda një apartamenti.
Ndërkohë blutë po punonjnë për kapjen e shtetasit Klajdi Limani, të shpallur në kërkim.
“Vihen në pranga 2 shtetase të shpallura në kërkim 3 ditë më parë, në kuadër të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, i zhvilluar 3 ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas, janë kryer kontrolle për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat, u vunë në pranga shtetaset M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se këto 2 shtetase, 2 shtetasit e arrestuar gjatë operacionit dhe shtetasi në kërkim K. N., kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit, duke i hequr lirinë, për disa orë, dhe duke e dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti.
Punohet për kapjen e shtetasit K. N. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.