Vendimi i Kushtetueses, Rama lojë me dy porta: Veliaj të kthehet në zyrë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Erion Veliajt dhe rrëzoi vendimin e qeverisë për ta shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës dhe dekretin e presidentit për zgjedhjet.
Rama u shpreh se Tirana nuk mund të drejtohet me delegim teksa shtoi se nuk është normale të jetë ai pjesë e diskutimit për buxhetin e Bashkisë, por duhet të ishte Veliaj, i cili ndodhet në qeli prej datës 10 Shkurt.
Pas kësaj deklarate, ai tha se “s’ka për çfarë na vjen keq dhe se duhet të ecim përpara”.
Rama u justifikua duke thënë se arsyeja e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk ishte për të fajësuar kryetarin, por sepse sipas tij, Veliaj ishte në pamundësi për të kryer detyrën.
“I fituam zgjedhjet me rezultatin më të mirë historik për PS. Nuk është normale të jem pjesë e diskutimit për buxhetin e Bashkisë duhet të ishte kryetari. Është për të ardhur keq.
Por s’ka për çfarë na vjen keq duhet të ecim përpara. Çfarë nuk thuhet në këtë vend. Kur Kryetari i Bashkisë u mor nga zyra për tu mbyllur në qeli pa gjyq, ngrita zërin për një proces të drejtësisë që është disproporcionale.
Cilado qoftë arsyeja pse drejtësia heton kryetarin e Bashkisë janë të pamjaftueshme sa kohë kryetari i Bashkisë nuk ka vrarë njeri për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur. Gjithsesi drejtësia është e pavarur. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim”, u shpreh ai.
Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste nuk do të ndërmarrë më iniciativa për të shkarkuar Erion Veliaj, nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Kujtojmë gjithashtu se pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj, kryeministri u kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak që të ndërmarrin mekanizmat e duhur ligjorë për të shkarkuar nga detyra kryetarin aktual dhe t’i hapet rruga pasardhësit.
