Atentati me dy viktima në Rinas, Rama: Do ishte zbardhur në kohë reale nëse do të kishim kamera inteligjente
Kryeministri Rama ka komentuar për herë të parë atentatin mafioz me dy viktima në Rinas, ku si pasojë e breshërisë së plumbave humbi jetën Gilmando Dani ndërsa miku i tij, efektivi i AMP-së Muçi Shaljani alias Sheqeri mbeti i plagosur.
Ky i fundit, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës në Tiranë, pas 5 ditësh në reanimacion. Ai u qëllua dhe 10 plumba, 2 në kokë dhe 8 në trup dhe fatkeqësisht nuk ka mundur do t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Rama ka paralajmëruar se nëse do të kishte një sistem monitorimi me kamera inteligjente në rrugët kombëtare, ngjarja do të ishte zbardhur në kohë reale.
“Me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritje burokratike. Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të qyteteve dhe të rrugëve kombëtare, është projekt strategjik për sigurinë, pastërtinë dhe sigurinë e prindërve në shkolla.
Nëse do të kishim këtë sistem në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale, por nuk është problemi tek zbardhja, por në momentin që sistemi ekziston, parandalon në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeje që lidhen me rendin, qetësinë, rregullat e qarkullimit. Brenda këtij mandati, jo vetëm do e kemi këtë sistem, por do t’i shohim hajrin”, u shpreh Rama gjatë prezantimit të projekt-buxhetit të 2026.