Kapitulli i fundit: Sa vite i duhen Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së?
Hapja e të gjithë kapitujve brenda 12 muajve është një arritje politike dhe procedurale që e pozicionon Shqipërinë pozitivisht në proces. Por ritmi i mbylljes do të varet nga puna e brendshme, jo nga vullneti i BE-së dhe për këtë ka disa sfida për Tiranën që duhet t’i kalojë.

Sot, më 17 nëntor në Bruksel u mbajt Konferenca e 7-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, një moment që shënon çeljen e grup-kapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit. Me këtë hapje, Shqipëria arrin një rekord të ri politik dhe teknik, brenda vetëm 12 muajve, janë hapur të gjithë kapitujt dhe klasterët e negociatave, një ritëm pothuajse i paprecedent në rajon.
Ky progres i shpejtë pasqyron punën e bërë nga administrata dhe presionin e vazhdueshëm të institucioneve europiane për të mbajtur Ballkanin Perëndimor të ankoruar në projektin europian. Vetë Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e nënvizoi këtë realitet mbrëmjen e djeshme, gjatë ceremonisë së hapjes së godinës së re të Misionit të Shqipërisë në BE, ku deklaroi se “Shqipëria ka bërë shumë punë dhe është detyrim që ajo të jetë e mirëpritur në familjen e saj”.
Megjithatë, hapja e kapitujve është vetëm gjysma e rrugës. Sfida e vërtetë nis sot është mbyllja e tyre.
“Çelja e të gjithë grupkapitujve është sukses, por mbyllja e tyre është çmimi real. Suksesi real është se sa shpejt miratoni dhe zbatoni legjislacionin.”, shtoi Kos.
Por sa kohë i duhet Shqipërisë për t’i mbyllur negociatat?
Historikisht, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë hasur rrugë të zgjatura negociuese:
-Kroacia: 6 vite negociata aktive
-Mali i Zi: 11 vite dhe ende i pambyllura
-Serbia: 10 vite dhe procesi i bllokuar
Sa vite i duhen Shqipërisë për mbylljen e negociatave?
Bazuar në performancën aktuale të Shqipërisë, vlerësimi më realist është 5–7 vite për mbylljen e negociatave, nëse , reforma në drejtësi vazhdon me të njëjtin ritëm, administrata publike profesionalizohet, kapacitetet për të zbatuar standardet e BE-së rriten dhe lufta kundër korrupsionit prodhon rezultate të matshme.
Në rast të ngecjeve politike apo teknike, ky afat mund të shkojë 8–10 vite, sipas modeleve të vendeve të rajonit.
Pse mbyllja është më e vështirë sesa hapja?
Standardi i BE-së për mbyllje të kapitullit është shumë më i lartë se ai për hapje. Për hapje mjafton plani dhe nisja e reformave.
Ndërsa për mbylljen e kapitujve kërkohet zbatim i plotë, rezultate konkrete, raporte të matshme dhe vlerësim pozitiv unanim i 27 vendeve anëtare.
Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në rrugën drejt Bashkimit Europian, por disa kapituj mbeten të hapur për shkak të sfidave të vazhdueshme strukturore dhe mungesës së rezultateve të prekshme. Sipas analizave të Komisionit Europian dhe eksperiencës së vendeve të tjera kandidate, mbyllja e kapitujve kërkon më shumë se ligje në letër, ajo kërkon rezultate konkrete që reflektojnë kapacitetin e institucionit për të funksionuar në nivel europian.
Cilat janë kapitujt më të vështirë për Shqipërinë?
Kapitulli 23 – Gjykatat dhe të Drejtat Themelore
Pavarësia e gjyqësorit mbetet e brishtë dhe perceptohet e tillë edhe nga vetë Brukseli. Vonesa në ngritjen e gjykatave të reja të Apelit, mungesa e transparencës në disa vendimmarrje gjyqësore dhe roli ende i pazhvilluar i SPAK e bëjnë mbylljen e këtij kapitulli të vështirë. Komisioni Europian kërkon institucione të konsoliduara që prodhojnë rezultate reale në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, jo thjesht reforma formale në letër.
Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria
Ky kapitull është një test i drejtpërdrejtë i kapacitetit të Shqipërisë për të menaxhuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. BE-ja kërkon rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, transparencë të plotë në kontratat publike, kontroll të plotë të kufijve dhe rritje të kapaciteteve policore dhe gjyqësore për luftën kundër narkotikëve. Pa këto rezultate, kapitulli nuk mund të mbyllet.
Kapitulli 5 – Prokurimi Publik
Problemet kryesore lidhen me kontrata koncesionesh dhe PPP të diskutueshme, mungesën e konkurrencës dhe procedurat e negociuara pa garë. Shqipëria duhet të harmonizojë ligjin me direktivat e BE-së dhe të demonstrojë përmirësim të prekshëm në praktikë. Vetëm me transparencë dhe efikasitet real në prokurime, kapitulli mund të mbyllet.
Kapitulli 11 – Bujqësia
Mungesa e regjistrave dhe databazave të besueshme, kapacitetet e ulëta të agjencive bujqësore dhe standardet e dobëta të sigurisë ushqimore janë pengesa kryesore. Reforma dhe investime të konsiderueshme janë të domosdoshme për të menaxhuar fondet e BE-së dhe për të garantuar produkte të sigurta për qytetarët.
Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike
Menaxhimi i mbetjeve, ndotja e ajrit, ndërtimet pa leje dhe harmonizimi me direktivat për ujërat, pyjet dhe biodiversitetin mbeten sfida të mëdha. Ky kapitull kërkon investime miliarda euro dhe strategji afatgjatë, duke e bërë një nga më të kushtuesmit dhe më të vështirët për mbyllje.
Kërkesat e Brukselit për Tiranën
Për të mbyllur kapitujt e mbetur, BE-ja pret nga Shqipëria: forcim të administratës publike, rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit, transparencë totale në prokurime dhe PPP, reforma të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, harmonizim mjedisor dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjeve. Nëse këto nuk arrihen, mbyllja e kapitujve mbetet e pamundur.
Shqipëria ndodhet para një prove të rëndësishme, çdo kapitull që nuk mbyllet për mungesë të rezultateve konkrete mund të vonojë integrimin europian. Suksesi kërkon vendosmëri, koordinim dhe zbatim të reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Koha për të vepruar është tani dhe sfida është të tregojë se institucionet shqiptare funksionojnë sipas standardeve europiane.
Hapja e të gjithë kapitujve brenda 12 muajve është një arritje politike dhe procedurale që e pozicionon Shqipërinë pozitivisht në proces. Por ritmi i mbylljes do të varet nga puna e brendshme, jo nga vullneti i BE-së.
Nëse Tirana adreson pikërisht fushat ku çalon, drejtësia, korrupsioni, prokurimet, bujqësia dhe mjedisi negociatat mund të mbyllen brenda një periudhe ambicioze prej 5–7 vitesh.Nëse jo, Shqipëria mund të përballet me të njëjtin skenar si Mali i Zi e Serbia: një proces i hapur, por i ngrirë./ Pamfleti