SPAK. Altin Dumani tregon se çfarë po ndodh me dosjet e “peshave të rënda.

0
699

Ja çfarë po ndodh me dosjet e “peshave të rënda” në SPAK, Altin Dumani paralajmëron ekstradimin e Arben Ahmetajt nga Zvicra dhe premton hetim të thelluar për të zbardhur vrasjet e “21 janarit”.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani foli ditën e djeshme për hetimet e “peshave të rënda” të politikës duke komentuar dhe dosjet që ka në duar. Dumani në një komunikim me gazetarët dha lajmin se pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK do të nisë menjëherë hetimet për 21 Janarin. Ai tha se vendimi do të zbatohet ndërsa foli edhe për koordinime mes institucioneve për të hetuar. “Ne do zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Ndiqet procedura normale. Ndoshta mund të ketë nevojë dhe për koordinim”, u shpreh kreu i SPAK. Në lidhje me hetimet për aferën e privatizimit të ish-klubit ‘Partizani’, Dumani konfirmoi se edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha po bëhen hetime pasurore, përveç vajzës dhe dhëndrit të tij ku disa pasuri tyre janë venë edhe nën sekuestro, ndërsa dosja do të dërgohet në gjykatë sapo të përfundojnë hetimet, të cilat janë zgjatur disa herë. “Janë bërë hetimet pasurore për Berishën”, tha Dumani.

Ekstradimi i Arben Ahmetajt

Gjatë bisedës me dyer të mbyllura me gazetarët kreu i SPAK foli edhe në lidhje me ekstradimin e personave të shpallur në kërkim, që nga Llalla e deri tek Gugallja, Mërtiri dhe Arben Ahmetaj. Ai tha se ekstradimi është një procedurë që ndiqet nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka detyrë të përgatisë dokumentacionin e kërkuar. “Besoj e dini rolin e prokurorisë, ne jemi institucion që i drejtohemi Ministrisë së Drejtësisë. Më pas kjo ministri merret me procedurat. Ne i dërgojmë të gjithë materialet”, u shpreh kreu i SPAK.

Në lidhje me ish zëvendëskryeministrin Ahmetaj kreu i SPAK tha se do të jenë autoritete zvicerane ato që do të vendosin pasi ka kërkesë për ekstradim dhe azil të cilat mund te gjykohen edhe paralelisht. Dumani u pyet gjithashtu për biznesmenët që dalin te dosja e Ahmetajt. “Ajo çështja është akoma në hetim për disa kemi konkluduar në akuza. Për të tjerët vijojnë hetimet, nuk përjashtohet askush. Di që hetohet çdo fakt dhe çdo rrethanë në raport me pozicionin e secilit”, tha kreu i SPAK. Nga ana tjetër, Dumani nuk bëri asnjë koment në lidhje me akuzat që janë drejtuar ndaj tij nga ish presidenti Ilir Meta, për të cilat tha se nuk e shqetësojnë. Ndërsa nuk dha një përgjigje se në çfarë statusi po hetohet çifti, Meta -Kryemadhi.

Hetimet për dosjen e mikrokredive

Sa i takon hetimit të dosjes së mikrokredive,drejtuesi i prokurorisë së Posaçme tha se në SPAK ka një hetim, por jo për denoncimet e qytetarëve, por të personave që janë subjekt i kësaj strukture. Kujtojmë se në SPAK është paraqitur një dosje për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në lidhje me mikrokreditë. Ai i shprehu ngushëllime familjarëve të të ndjerit Pal Trashaj nga Lezha, i cili i dha fund jetës jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme duke kërkuar që çështja e tij të hetohet nga SPAK. Po pavarësisht se kjo strukturë nuk heton kallëzimet e qytetareve serish në SPAK dje disa qytetarë janë paraqitur për të bëre kallëzime në lidhje me mashtrimet me microkreditë, si rasti i këtij qytetari nga Kruja, të cilit bankat i kishin bllokuar pasuritë. “Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por ne nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi një hetim, për një objekt konkret ndaj Bankës së Shqipërisë. Nuk bëj komente.

Realisht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë lëndore. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi përpara dyerve të SPAK me z.Pal Trashaj dhe i përcjell ngushëllime familjes. Ka kërkesa të shumta nga ana e qytetarëve, por ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën lëndore”, tha Dumani. Gjithashtu kreu i SPAK zbuloi se Prokuroria e Posaçme ka nën hetim shtatë persona që dyshohet se ndodhen në Dubai, por nuk zbuloi emra konkretë, duke mos penguar kështu hetimin. I pyetur për Fredi Belerin, Dumani tha se ai tashmë është një person i dënuar me formë të prerë. “Tashmë Beleri është një person i dënuar me formë të prerë. Nuk ka me asnjë kompetence SPAK sa i takon fazës së ekzekutimeve te vendimeve penale. Ne momentin që vendimi merr formë të prerë, SPAK nuk ka me asnjë implikim procedural”, tha kreu i SPAK.

Afera “McGonigal”? Kreu i SPAK: Në hetim paraprak

Dumani është pyetur edhe për çështjen “McGonigal”, ish agjenti i FBI-së i dënuar “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama. “Jemi në fazën e hetimit paraprak”, tha Dumani. I pyetur për hetimet për koncesionin e laboratorëve për dializën, Dumani tha se çështja është nën hetim. Kreu i SPAK u pyet edhe për ‘Dosjen 5D’, ku 3 ish-drejtorët e bashkisë së Tiranës janë në burg pasi akuzohen për korrupsion. Ai nuk dha koment për këtë dosje.

Dumani tha gjithashtu se nuk ka pasur masë ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për inceneratorët. Në lidhje me ekstradimin e Durim Bamit nga Dubai, Dumani tha se ekstradimet nga ky vend janë problem për shumë vende. “Kemi detyrimin vetëm të bëjmë kërkesë për ekstradim. Ne si institucion kemi ngritur shqetësim. Nuk është problematikë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e BE-së, në raport me Emiratet e Bashkuara Arabe, sidomos Dubain. Di që ka pasur përpjekje, shpresoj të ketë zgjidhje”, tha kreu i SPAK. Gjithashtu Dumani tha se do shtohet numri i agjentëve të BKH. “Për hetuesit, numri 20 prej prokuroreve është për momentin mjaftueshëm. Për numrin e hetuesve kemi rënë dakord me drejtuesen e BKH për rritjen e numri”, tha ai.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading