BIRN: Qeveria rikthen sërish importin e plehrave në Shqipëri.
Qeveria shqiptare ka në plan që të rikthejë lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, afro tetë vjet pasi u detyrua të heqë dorë nga ideja si pasojë e protestave të shumta popullore. Lajmi bëhet i ditur nga një projektligj i Ministrisë së Mjedisit i hedhur për konsultim publik në faqen zyrtare të qeverisë për konsultimet publike.
Projektligji, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, thotë në nenin 73 se në përgjithësi importi i mbetjeve në Shqipëri ndalohet me përjashtim të rasteve kur Këshilli i Ministrave e lejon.
“Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave,” thuhet në projektligj.
“Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni,” shtohet aty.
Ndërsa neni 74 lejon më tej kalimin në Shqipëri tranzit të “mbetjeve jo të rrezikshme”, për të cilat mjafton një leje e ministrit të Mjedisit.
“Jam absolutisht kundër,” deklaroi për BIRN Lavdosh Ferruni, aktivisti i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, grupi shoqëror joformal që luftoi me sukses fillimisht qeverinë “Berisha” dhe pastaj qeverinë “Rama” për të ndaluar importin e plehrave.