Fillojnë në PD skenarët për Tiranë, Ja emrat që qarkullojnë

0

Situata u përshkallëzua me ofendime të ndërsjella, ndërsa Egli u përlot, duke përsëritur se nuk e meritonte një trajtim të tillë. Nga ana tjetër, Gjesti vijoi të mohojë se kishte ndonjë pakënaqësi ndaj trupit të saj, duke tentuar të shpjegojë se gjithçka ishte keqkuptuar.

Zgjedhjet e 11 majit 2025 po afrojnë dhe politikanët po luajnë çdo kartë të mundshme që të kapin karriget e pushtetit për vitet në vazhdim. Një skenar që po shkakton reagime të forta është futja e Ilir Metës nga Sali Berisha në listën e mbyllur për deputetë, që nënkupton një mandat thuajse të sigurt ndërsa qëllimi final që gazeta “SOT” e ka raportuar edhe më parë duket se është lirimi nga burgu i kreut të Partisë së Lirisë, nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, dhe vendosjen e Prokurorisë së Posaçme përpara një ngërçi procedural. Çfarë pritet të ndodhë? Sipas nenit 71 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Pra ditën që KQZ bën shpërndarjen zyrtare të mandateve, deputeti quhet i zgjedhur dhe me këtë fillojnë edhe të gjitha detyrimet dhe privilegjet e mandatit të ligjvënësit, përfshirë imunitetin.

Nga ana tjetër vendime të gjykatave më të mëdha në vend kanë krijuar në Shqipëri precedentët që çdo person që ka pasur arrest me burg, në momentin që është zgjedhur deputet është liruar menjëherë. Rasti më analogjik me Ilir Metën është ai i ish deputetit Azgan Haklaj. Një vendim i 23 korrikut 2001 i Gjykatës së Lartë liroi menjëherë nga masa e arrestit me burg deputetin e atëhershëm Azgan Haklaj, pasi gjykata tha se ai tashmë kishte imunitet pasi kishte fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e zhvilluar vetëm pak javë më herët.   Pra duket qartë se janë të gjitha gjasat që Ilir Meta me marrjen e mandatit të deputet, prej listave të Sali Berishës, do të lirohet nga burgu pasi shuhet masa e sigurisë ndaj tij, e konfirmuar kjo deri në Gjykatë të Lartë. Kuriozitet në këtë rast shfaq mënyra se si SPAK do të reagonte. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Prokurorisë së Posaçme do t’i duhej një kërkesë tjetër drejtuar parlamentit që ky i fundit t’i jepte autorizimin për riarrestimin e Metës. Por nga ana tjetër kërkesa do t’i shkonte një Kuvendi të shpërndarë, i cili mund të mblidhet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

A do ta vlerësonte Kuvendi një rast të tillë të jashtëzakonshëm?! Kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë duket e sigurt, se me ndihmën e Sali Berishës, Ilir Meta do t’i shijonte disa ditë në liri.

40 deputetët e sigurt të PD

Gjithashtu në korridoret e selisë blu po qarkullon një listë me deputetët në listat e sigurta të Partisë Demokratike. 15 emrat për Tiranën përfshihen: Sali Berisha, Jozefina Topalli, Belind Këlliçi, Ilir Meta, Albana Vokshi, Edi Paloka, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Ilda Zhulali, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu, Partia e Lirisë, Klevis Balliu, Myslim Murrizi. I shtojmë kësaj liste 11 drejtuesit e qarqeve, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Tomor Alizoti, Ivi Kaso, Eno Bozdo, Bujar Leskaj, Tritan Shehu. Po ashtu dhe emrat kryesorë që dolën fitues nga primaret të cilët janë: Shkëlzen Ibra, Ina Zhupa, Ramadan Likaj, Alma Buci, Ilir Krosi, Igli Cara, Eduart Sharka, Zija Ismaili, Bledion Nallbati, Gjin Gjoni, Dashnor Sula, Hysen Kadiu, Klevis Balliu dhe Grigels Muçollari. Në total shkojnë 40 emra, të cilët duken se janë kandidatët potencialë për deputet të PD-së. Por ende nuk ka listë zyrtare, pasi këto janë vetëm emra që qarkullojnë lart e poshtë.

17 partitë që mund të digjen në zgjedhjet e 11 majit

Nga ana tjetër, zgjedhjet po arrijnë në një pikë kulminante, pasi subjektet pas një jave duhet të dorëzojnë emrat e kandidatëve për deputetë, çfarë rrit ethet brenda partive. Deri më tani, 3 koalicione dhe 5 parti serioze janë të sigurta që do të jenë në fletën e votimit. Pikëpyetje ngrihen për 17 partitë të tjera, thuajse anonime, të cilat janë regjistruar në KQZ, por mund të digjen rrugës, nëse nuk gjejnë secila nga 186 kandidatë për gjithë Shqipërinë. Tre janë koalicione, ai i Sali Berishës me 26 parti, Dash Shehi me Enkelejd Alibeajn dhe Adriatik Lapaj me Endri Shabanin. Ndërsa 5 parti të tjera garojnë të vetme: PS, e Edi Ramës, Tom Doshi, Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Lulzim Basha. Nëse kualifikohen vetëm 3 koalicionet që kanë mbledhur 31 parti në total, dhe 5 partitë kryesore, fleta e votimit nuk do të zmadhohet më shumë se sa kaq dhe ky format me lartësi 40 cm dhe gjerësi 60 centimetra do të mjaftojë.

Megjithëkëtë, kjo nuk është e sigurt. 17 parti të tjera, figurojnë të regjistruara në KQZ si garuese në 11 maj, dhe kanë të drejtë të jenë në fletën e votimit. Kjo do ta bënte fletën edhe më gjigande e rrjedhimisht më absurde. Megjithëkëtë, ligji ka parashikuar disa filtra rrugës. Nëse një parti dëshiron të figurojë në fletën e votimit, do të duhet që të garojë plotësisht në të gjithë Shqipërinë, pa asnjë përjashtim. Kështu, ata duhet të dorëzojnë deri të mërkurën e ardhshme, të datës 12 mars, listat e plota të kandidatëve. Kësaj radhe ligji kërkon 186 emra nga secili subjekt, 46 në listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur. Emrat duhet të vijnë me gjithë dokumente shoqëruese dhe mungesa e tyre mund të skualifikojë shumë prej këtyre partive të konsideruara si “fantazmë” që shfaqen vetëm në zgjedhje dhe zhduken menjëherë nëse ndonjë parti e madhe nuk i mbledh në koalicion, ose nëse ndonjë grupim i fuqishëm nuk jua merr partinë me qira për të kandiduar elementë të caktuar.

Personazhet në “SKY ECC”

Përveç situatës së nxehtë të politikës,  gazetari Basir Çollaku ka zbuluar se ka anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që dalin në përgjimet e “Sky” dhe “Encrochat”. Ai shprehet se historia e përgjimit nuk është boshe, ndërsa e cilëson si një përpjekje për të mbuluar produktin. “Është një përpjekje për të mbuluar produktin. Ka gjëra që nuk shkojnë. Një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të përgjohet pa pasur përgjigje reale e Strukturës së Posaçme. Po ne kemi një procedim penal. Unë kam bindjen që nuk është bosh historia e përgjimit. Kjo histori lidhet me Sky e Enchrochat. A ka anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që janë në përgjimet e Sky dhe Encro? Unë them se po. A ka anëtarë të Gjykatës së Lartë që janë në këtë histori? Unë them që po. A ka të çdo lloj niveli gjykate dhe prokurorie? Sigurisht që po”, tha ai.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading