Durrës. Ja si prokuroria zvarrit hetimet për mbetjet toksike të Kurum.
Hetimi për mbetjet toksike të Kurum ka hyrë në një fazë të pasigurt, ku dyshimet për zvarritje dhe mungesë transparence janë në rritje. Pas pesë muajsh të tërë hetimesh, Prokuroria e Durrësit, megjithatë, thotë se më në fund ka mundur të sigurojë një laborator të duhur për analizën e mostrat që vijnë nga 102 kontejnerët të mbushur me mbetje të dyshimta. Rrjeti i Bazelit dhe Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) kanë ngritur alarmin, duke e quajtur këtë një skandal të pashembullt, që mund të rrezikojë seriozisht mjedisin dhe shëndetin publik. Megjithëse hetimet janë regjistruar që në tetor 2024, asgjë nuk është bërë për të identifikuar me saktësi burimin e këtyre mbetjeve, ndërsa rreth 210 tonë material mbeten në limbo. Pavarësisht thirrjeve të shumta për një hetim të pavarur, Prokuroria e Durrësit ka insistuar se çdo gjë po bëhet sipas protokolleve ndërkombëtare, por pyetja e madhe mbetet: Pse pas pesë muajsh nuk janë marrë ende mostrat për analizë? Aktivistët mjedisorë janë të shqetësuar dhe akuzojnë autoritetet për heshtje, duke kërkuar që ky skandal të mos kalojë pa pasoja. Hetimi duhet të shkojë deri në fund, teksa sanksionet për ata që përfshihen në këtë trafik të rrezikshëm duhet të jenë të pamëshirshme.
Reagon Prokuroria e Durrësit
Konkretisht mostrat e marra nga ngarkesa me mbetje në Anijen “Moliva” të sekuestruar në portin e Durrësit, do të analizohen në një laborator në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit u shpreh dje për mediat se ky laborator ka infrastrukturën e duhur për të garantuar respektimin e të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave për të parë nëse 210 tonë mbetje të kthyera nga Tajlanda në muajit tetor të vitit të kaluar janë ose jo të rrezikshme. Kontejnerët që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. “Kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1596, të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, parashikuar nga neni 171 i Kodit Penal, “Transportimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/b i Kodit Penal, si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është duke kryer hetime intensive.
Fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontenierë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024. Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontenierë si dhe volumin i madh (102 kontenierë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizimit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratore dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse. Në mungesë të infrastrukturës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si: Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;
Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza); Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të metaleve dhe hirit të termocentraleve dhe të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve. Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave”, thuhet në njoftim. Sipas prokurorisë, kreu i ‘Rrjetit të Bazelit’, Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një e-maili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marr pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit. Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.
Reagon Rrjeti i Bazelit
Ndërkaq Rrjeti i Veprimit të Bazelit ngre dyshime se Prokuroria e Durrësit nuk po e heton çështjen siç duhet për çështjen e mbetjeve toksike. Kontejnerët mbërritën më 28 tetor 2024 dhe pas sekuestrimit të tyre nga prokuroria e Durrësit u hoqën dhe u dërguan në zonën e portit të Porto Romanos në Durrës. Plani ishte që nga përmbajtja e kontejnerëve të merrej kampion dhe të analizohej nga laboratorë të pavarur për të përcaktuar nëse materiali ishte në fakt mbetje dhe me anë të “gjurmëve kimike” të përcaktohej se kush e gjeneroi materialin. Deri më tani të gjitha indikacionet tregojnë si burim fabrikat e çelikut Kurum që ndodhen në Elbasan. Sipas rregullave të Konventës së Bazelit, e cila përfshin Shqipërinë dhe Tajlandën si palë pjesëmarrëse, eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm me pëlqimin me shkrim të vendeve eksportuese, vendeve transitore dhe vendeve importuese.
Sipas BAN, çështja e përgjegjësisë penale nuk mund të injorohet më. Grupet e shohin shumë të parregullt që pas kaq shumë javësh asgjë nuk është raportuar. “Ne nuk jemi as të sigurt që mostrat janë marrë dhe analiza ka filluar. Nëse ka filluar, është shqetësuese që marrja e mostrave nuk është bërë publikisht dhe me protokollet e duhura dhe procedurat zinxhir të ruajtjes së ndjekur. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon sanksione penale sipas traktatit që Shqipëria ka nënshkruar. Nuk është e pranueshme të pretendohet se nuk ka ndodhur dhe shpresojmë se do të harrohet”, tha Jim Puckett nga Rrjeti i Veprimit të Bazelit. Sakaq theksojmë se BAN i kishte ofruar më herët Prokurorisë së Durrësit informacion në një deklaratë dëshmie, e cila përfshinte fotografitë e sinjalizuesit dhe deklaratat origjinale të mbetjeve që po ngarkoheshin në portin e Durrësit, si dhe të dhëna kampionimi që tregonin nivele të larta të ndotjes nga objekti marrës i propozuar në Tajlandë si dhe të gjithë numrat e kontejnerëve të mbetjeve të përfshira, duke përfshirë numrat e kontejnerëve të 110 kontejnerëve të tjerë të dërguar më herët në vitin 2024 në Kinë, të cilat Kina i kishte sekuestruar si importe të paligjshme të mbetjeve. BAN gjithashtu i kishte referuar autoritetet në disa laboratorë në BE që mund të analizonin mbetjet.
Reagon “AFP”
Ndërkohë më herët edhe Agjencia Francez e Lajmeve (AFP) ka raportuar se ambientalistët në Shqipëri kanë denoncuar heshtjen e autoriteteve dhe mungesën e progresit në hetimin për mbetjet toksike. Bëhet me dije se ambientalistët denoncuan heshtjen e plotë nga qeveria dhe mungesën e dukshme të ndonjë progresi mbi çështjen nga kjo e fundit si dhe nga prokuroria e Durrësit.
Ambientalistët thonë se nuk janë të sigurt që mostrat janë marrë dhe analizat kanë filluar në laborator lidhur me rastin sikurse është premtuar. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon sanksione penale, shtuan organizatat, duke u kërkuar autoriteteve të japin përditësime. Sipas ambientalistëve, deri tani të gjitha indikacionet tregojnë se mbetjet vijnë nga fabrikat e çelikut Kurum në Elbasan. E kontaktuar nga AFP, prokuroria e Durrësit tha se “hetimet e tyre po vazhdojnë me prioritet”, pa dhënë detaje.
Mbetjet toksike, çfarë dihet për rrugëtimin e tyre?
Ndërkohë kujtojmë se një total prej 102 kontejnerë, që besohet se ishin të mbushura me mbetje të dyshimta, u shkarkuan në portin e Durrësit nga një anije konteinerësh me flamur turk në nëntor dhe u dërguan në një “lokacion të sigurt”, thanë autoritetet. Në atë kohë, prokuroria e Durrësit tha se kishte nisur një hetim për “kontrabandë me mallra të ndaluara” dhe “shpërdorim pushteti”, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit OLAF. Kontejnerët u larguan nga Shqipëria korrikun e kaluar dhe sipas dokumenteve doganore të asaj kohe, ngarkesa e saj përbëhej nga mbetje industriale, konkretisht “oksid hekuri”, eksporti i të cilave është i autorizuar.
Por informacioni i transmetuar nga një sinjalizues në Rrjetin e Veprimit të Bazelit (BAN) sugjeroi se ngarkesa përmbante në të vërtetë “pluhur të mbetjeve të rrezikshme të ndotjes nga fabrikat dytësore të çelikut”, sipas një deklarate nga BAN dhe OJQ mjedisore Milieukontakt Albania. Tajlanda e refuzoi ngarkesën dhe ajo u kthye në Shqipëri pas disa muajsh në det, me ndalesa dhe ndërrime anijesh në vende të ndryshme, përfshirë Spanjën, Portugalinë, Italinë dhe Turqinë. Dërgesa e mbetjeve industriale nga vendet perëndimore për t’u përpunuar diku tjetër në botën në zhvillim është një biznes global që vlerësohet të jetë me vlerë midis 44 miliardë dhe 70 miliardë euro (46 miliardë deri në 74 miliardë dollarë) në vit, sipas OJQ-ve mjedisore.

k