Durrës. Prezantohet kandidati i PL, Adriatik Hoxha. Meta dërgon nga burgu një audio-mesazh
Në prezantimin e kandidatit për deputet në Durrës Adriatik Hoxha për zgjedhjet e 11 Majit, presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta mbajti dje një audio mesazh nga qelia e paraburgimit të 313-ës në Tiranë, ku ndodhet prej tetorit të kaluar. Meta tha se Hoxha do të jetë një “avokat” i fuqishëm i qytetarëve durrsakë në Kuvend. “Kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes të gjithëve ju, qëndrestarëve të Partisë së Lirisë, anëtarëve, simpatizantëve tanë të qytetit dhe të Bashkisë së Durrësit. Është kënaqësi edhe për mua që sot të shpreh përkrahjen time më të fortë për kandidatin tonë të shkëlqyer, për kampionin e vlerave të qytetarisë durrsake në radhë të parë, Adriatik Hoxhën.
Për këtë emër të madh të atletikës tonë kombëtare, të sportit të Durrësit në mënyrë të veçantë, por edhe atij kombëtar. Dhjetra herë kampion absolut i vendit, 22 herë rekordmen kombëtar, fitues i shumë medaljeve të arta, të argjendta në aktivitetet ndërkombëtare ku ka ngritur flamurin Kuq e Zi. Pjesëmarrës në lojrat Olimpike të Londrës 2012, duke përfaqësuar Shqipërinë. “Mjeshtër i Madh i Sportit” e shumë e shumë vlerësime të tjera, tërësisht të merituara të këtij personaliteti, i cili është tashmë jo vetëm kandidati ynë në listën e koalicionit “ PD – ASHM” për Durrësin, por njëkohësisht edhe do të jetë një zë shumë i fuqishëm në Kuvendin e ardhshëm për sportin, për shëndetin, për të rinjtë dhe për Durrësin, një zë që për fat të keq ka munguar deri tani”, deklaroi ai.
Më tej Meta u shpreh se Durrësi është qyteti dhe qarku më i grabitur nga qeveria. Sipas tij, me programin e koalicionit të tyre, Durrësi do të jetë përfituesi i parë dhe kryesor. Durrësi është qyteti dhe qarku më i vjedhur dhe më i grabitur, për fat të keq nga “Rilindja” e Edi Ramës, e sidomos gjatë kësaj kohe që ai u zgjodh dhunshëm dhe forcërisht, siç e provojnë dhe të gjitha përgjimet tashmë të dokumentuara të zgjedhjeve kriminale të vitit 2021.”, u shpreh Meta. Sipas tij, shumica e njerëzve të Ramës që blenë votat në 2021 tashmë janë në burg. “Falë Edi Ramës, që ishte deputet në Durrës, gjatë këtyre katër viteve, interesat e durrsakëve janë dëmtuar shumë rëndë. Është e pa mundur sot të gjesh një fushë publike sportive në Durrës apo në Tiranë, ku fëmijët e durrsakëve apo të tiranësve të luajnë pa lekë”, nënvizoi mes të tjerash Meta.