Merz paralajmëron Trump: Mos ndërhy në Gjermani, BE treg më të madh se SHBA e Kanadaja
Kancelari i ri konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do t’u bënte thirrje zyrtarëve të administratës Trump të ndalonin ndërhyrjen në politikën gjermane.
“Unë nuk ndërhyra në fushatën zgjedhore amerikane dhe nuk mora anë për njërin ose tjetrin”, tha Merz për transmetuesin publik ZDF në një intervistë televizive.
“Do të doja ta inkurajoja dhe nxisja qeverinë amerikane që t’ia lërë politikën e brendshme gjermane Gjermanisë dhe të qëndrojë kryesisht larg këtyre konsideratave partiake”, shtoi ai.
Pasi agjencia federale e inteligjencës së brendshme e Gjermanisë e klasifikoi javën e kaluar Alternativën për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, si një organizatë ekstremiste “e provuar”, AfD mori mbështetje nga disa prej anëtarëve më të lartë të kabinetit të Trump, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, i cili e quajti vendimin “tirani e maskuar”.
Merz, në intervistën e tij televizive, e quajti atë koment një “deklarim absurd” dhe sugjeroi se mund të zgjedhë ta ngrejë çështjen në një telefonatë të planifikuar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump të enjten.
I pyetur nëse do të fliste me Trumpin duke përdorur sharm apo me fjalë të drejtpërdrejta, Merz tha se do të “përfaqësonte hapur” qëndrimet gjermane dhe evropiane.
“Së bashku, ne jemi edhe më të mëdhenj se SHBA-të”, tha Merz, duke folur për Bashkimin Evropian. Ai shtoi se “numri i konsumatorëve këtu është më i madh se në Amerikë dhe Kanada së bashku. Pra, ne kemi diçka për të ofruar këtu. Ne mund të bëjmë diçka. Ne jemi të bashkuar, në një masë të madhe gjithsesi, dhe ky do të jetë mesazhi im për qeverinë amerikane”.
Merz tha se do të takohet personalisht me Trumpin për herë të parë në samitin e NATO-s në Hagë, në qershor. Për të koordinuar një strategji të përbashkët evropiane për mbrojtjen përpara këtij takimi, Merz do të udhëtojë të mërkurën për në Paris dhe Varshavë për t’u takuar me homologët e tij.
Gjatë fushatës së tij, Merz u zotua se Gjermania, nën udhëheqjen e tij, do të luante një rol më të madh në skenën evropiane. Por një dështim i sikletshëm fillestar për t’u bërë kancelar të martën në Bundestag nxori në pah dobësinë e tij relative politike dhe shumicën e vogël parlamentare në vend, duke penguar potencialisht aftësinë e tij për të ndjekur premtimet e fushatës.