“Ne nuk lindëm për të punuar”/ Deklarata e Bill Gates që sfidon rendin botëror: A jemi gati për një botë pa punë?

0
image

Në një video të shkurtër që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe një nga figurat më me ndikim në teknologjinë globale, shprehet qartë: “We weren’t born to do jobs”, ose në shqip: “Ne nuk lindëm për të punuar”. Një fjali e thjeshtë, por që shpërthen si një granatë në mes të një rendi botëror të ngritur mbi punën, produktivitetin dhe sakrificën njerëzore për mbijetesë.

Kjo deklaratë nuk është thjesht një mendim personal i një miliarderi. Ajo është një kritikë e thellë filozofike, sociale dhe ekonomike ndaj sistemit në të cilin jetojmë. Një sistem që e ka kthyer punën në pikën qendrore të identitetit njerëzor, që nga momenti kur një fëmijë shkon për herë të parë në shkollë, deri në varfërinë e një pensionisti që mbijeton me 100 euro në muaj.

Bill Gates, përmes kësaj deklarate, risjell në vëmendje një pyetje që filozofët e lashtë grekë e ngritën mijëra vite më parë:

Cili është kuptimi i jetës njerëzore? Aristoteli fliste për eudaimonia, përmbushjen e plotë të potencialit të njeriut, jo përmes punës mekanike, por përmes arsyes, virtytit dhe krijimtarisë. Gates i jep kësaj ideje një përkthim teknologjik: njeriu nuk është krijuar për të punuar si robot; përkundrazi, makinat janë krijuar që të punojnë për njeriun.

Në këtë kontekst, inteligjenca artificiale (AI) nuk është thjesht një zhvillim i ri teknologjik, është një pikë kthese civilizimi. Për herë të parë në histori, ne kemi mundësinë reale që shumë nga punët më të lodhshme, më të mërzitshme, më të rrezikshme, të bëhen nga makineri dhe algoritme. Punë që më parë konsumonin jetën dhe energjinë e njerëzve, sot mund të automatizohen pa lodhje, pa orare, pa shëndet të dëmtuar.

Por çfarë ndodh me shoqërinë kur puna zhduket si domosdoshmëri? Kur për një pjesë të madhe të popullsisë, puna nuk është më një burim jetese, por një aktivitet i padobishëm? Gates e sheh këtë si një mundësi transformimi, por edhe si një sfidë kolosale. Sepse nuk mjafton të heqësh punën, duhet të krijosh një sistem të ri ku njerëzit të jetojnë me dinjitet, të kontribuojnë me vullnet të lirë dhe të mos robërohen sërish nga një sistem tjetër shfrytëzues.

Në këtë pikë lind ideja e “të ardhurave bazë universale”; një koncept që Bill Gates dhe figura të tjera si Elon Musk kanë përkrahur: çdo njeri të marrë një shumë fikse mujore, pa kushte, që i garanton mbijetesën, pavarësisht nëse punon apo jo. Kjo do të ishte mënyra për të ndarë pasurinë e krijuar nga makinat dhe AI me të gjithë, jo vetëm me pronarët e teknologjisë.

Megjithatë, rreziku nuk qëndron vetëm në papunësi, por në krizën e identitetit që do të përjetojnë miliona njerëz. Sepse për shumë prej nesh, puna është më shumë se një mënyrë për të fituar është një pjesë e qenies. Pyetja klasike “Çfarë pune bën?” është bërë sinonim i “Kush je?”. Të heqësh këtë strukturë pa zëvendësuar me një tjetër, është të lësh bosh një pjesë të rëndësishme të shoqërisë me pasoja të mëdha psikologjike, kulturore dhe morale.

Në këtë sfond global, vendet si Shqipëria gjenden në një pozitë të veçantë. Ne nuk jemi krijues të AI-së, por përdorues të saj. Ne nuk prodhojmë teknologji, por blejmë atë që na serviret. Nëse nuk përgatitemi, rrezikojmë që në vend të një çlirimi të klasës punëtore, të përballemi me një tsunami papunësie, ku teknologjia përdoret jo për të përmirësuar jetën e njerëzve, por për të kursyer para për korporatat dhe oligarkët. Përdorimi i AI-së për të zëvendësuar njerëzit në call-centers, kontabilitet, përkthim apo madje edhe në arsim nuk është më teori, është realitet.

Nëse nuk ndërtojmë një kulturë të re rreth teknologjisë, edukimit dhe punës, do mbetemi skllevër të një bote që nuk na merr më si punëtorë, por as nuk na ofron asgjë tjetër. Kjo është arsyeja pse deklarata e Gates nuk duhet parë si një citat motivues për Instagram, por si një thirrje për reflektim të thellë dhe veprim konkret.

Sepse nëse nuk lindëm për të punuar, duhet të kuptojmë për çfarë lindëm. 

Dhe për këtë, teknologjia është vetëm mjeti. Pjesa tjetër mbetet në dorën tonë. 

*Imagjino këtë botë… 

Një mëngjes nuk bie më zgjimi i orës. S’ka më trafik, stres, nxitim për të hyrë në një zyrë pa ajër. Njerëzit ecin ngadalë në rrugë, me libra në duar, me fëmijë në krahë. Nuk punojnë për të jetuar, jetojnë për të krijuar.

Në vend të fabrikave të zhurmshme, teknologjia prodhon ushqim, ndërton shtëpi, kujdeset për të sëmurët. Artistët shkruajnë pa u ndalur, mësuesit edukojnë jo për nota, por për jetë. Një shoqëri ku të mos kesh një “punë” nuk është turp, është liri.

Dhe ndërsa algoritmet marrin përsipër barrën e nevojës, njeriu kthehet te thelbi: të pyesë, të ndjejë, të kuptojë.

Sepse ndoshta nuk lindëm për të punuar; por për të kuptuar pse lindëm. 

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading