Konflikti me Izraelin, SHBA i jep 2 javë kohë Iranit për luftën

0
image

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë një vendim përfundimtar për një sulm ushtarak ndaj Iranit brenda dy javësh.

Sipas deklaratës zyrtare, “korrespondenca me Iranin ka vazhduar”, duke lënë të kuptohet se ekziston ende një dritare për zgjidhje diplomatike.

Duke e lexuar mesazhin Trumpit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se “duke u bazuar në faktin se ka mundësi të konsiderueshme për bisedime që mund të ndodhin ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do ta marr vendimin tim nëse do të ndërhyj apo jo brenda dy javëve të ardhshme”.

Leavitt tha në një konferencë të rregullt për shtyp se Trumpi është i interesuar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, por përparësia e tij kryesore është të garantojë që Irani të mos ketë mundësi të zhvillojë ndonjë armë bërthamore.

Ajo tha se marrëveshja do të duhej ta ndalonte pasurimin e uraniumit nga ana e Teheranit dhe t’i zhbënte aftësitë e Iranit për të prodhuar ndonjë armë bërthamore.

“Presidenti është gjithmonë i interesuar për zgjidhje diplomatike… ai është komandanti i paqes. Ai është presidenti i paqes përmes forcës. Dhe, nëse ka mundësi për diplomaci, presidenti gjithmonë do ta shfrytëzojë atë”, tha Leavitt. “Por, gjithashtu dua të shtoj se ai nuk ka frikë ta përdorë forcën”.

Leavitt nuk pranoi të thoshte nëse Trump do ta kërkonte autorizimin e Kongresit për ndonjë sulm ndaj Iranit.

Ajo tha se Uashingtoni mbetet i bindur se Irani nuk ka qenë kurrë më afër sigurimit të një arme bërthamore.

Izraeli i bombardoi ndërtesat bërthamore në Iran të enjten, ndërsa Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit pasi goditi një spital izraelit gjatë natës.

Lufta ajrore njëjavore mes dy vendeve armike të Lindjes së Mesme u përshkallëzua edhe të enjten dhe asnjëra palë nuk tregoi shenja frenimi.

Leavitt tha se Trump ishte njoftuar për operacionin izraelit të enjten dhe se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pranon t’i ndalojë përpjekjet për të zhvilluar armë bërthamore.

Irani po shqyrton mundësi më të gjera për t’iu përgjigjur sfidës më të madhe të sigurisë që nga revolucioni i vitit 1979.

Ndërkohë, Trump ka mohuar një raport të publikuar nga gazeta prestigjioze Wall Street Journal, sipas të cilit ai kishte miratuar tashmë planet për një sulm ndaj Iranit, por kishte shtyrë dhënien e urdhrit përfundimtar me shpresën se Teherani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor.

Trump reagoi ndaj këtij lajmi në rrjetin e tij Truth Social, duke shkruar: “Wall Street Journal nuk ka asnjë ide se çfarë mendoj për Iranin!”.

Sipas burimeve të cituara nga Axios, një faktor vendimtar për vendimin e mundshëm të Trump është nëse bomba e njohur amerikane Massive Ordnance Penetrator (MOP) do të ishte e aftë të shkatërrojë objektivin kryesor iranian: uzinën e pasurimit të uraniumit në Fordow. Kjo qendër, e ndërtuar në thellësi të një mali në jug të Teheranit, është një objektiv strategjik për Izraelin, por ushtria izraelite nuk ka në dispozicion bombat e nevojshme dhe avionët që mund ta kryejnë një operacion të tillë. SHBA-të, megjithatë, i posedojnë të dyja.

“Ne do të jemi gati për të goditur Iranin. Ende nuk jemi të bindur se është e nevojshme. Dhe ne duam të mos jemi të nevojshëm, por presidenti ende nuk është i bindur se kemi arritur në atë pikë”, u shpreh një zyrtar amerikan për Axios. 

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading