Apartamente dhe mijëra euro cash, sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit shqiptar në Katar
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e ish-ambasadorit shqiptar në Katar, Edmond Çaça, si dhe bashkëshortes së tij.
Sipas prokurorisë Çaça ka fshehur pasuritë të cilat rezultojnë se janë të pajustifikeshme.
Prokuroria ka sekuetsruar 2 apartamente, një llogari bankare prej 90 mijë eurosh si dhe 3 sipërfaqe pylli.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u sekuestruan pasuritë e pajustifikuara dhe padeklaruara të shtetasit Edmond Çaça ish-Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Doha, Katar dhe bashkëshortes së tij, B.C.
Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është regjistruar kryesisht, procedimi pasuror nr. 07/R, i vitit 2025, në ngarkim të këtij shtetasi dhe personit të lidhur (B.C), bazuar në Ligjin nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.
Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme.
Sa më sipër, prokuroria kërkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestrimin e pasurive të paluajtshme/luajtshme si më poshtë:
1. Pasuri e paluajtshme, “Truall“, Nr.2/279 në pronësi të E. Ç., e mbyllur, e cila aktualisht vijon në:
a) Pasurinë nr.2/285, vol. 68, fq.71 dhe pasurinë nr 2/286, vol.68, fq. 72, Z.K. 8330.
b. Pasurinë nr 2/371, vol. 61, fq. 153, Z.K. 8330.
Pjesa takuese e shtetases B.C. është 10/33 e pasurisë truall, me siperfaqe 8250 m2;
2. Pasuri e paluajtshme, apartament, nr.146/46+1-34, vol. 54, fq. 194, ZK 3292, me sipërfaqe 65.5 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
3. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/11, vol. 7, fq. 20, ZK 2380, me sipërfaqe 500 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
4. Pasuri e paluajtshme “Pyll”, Nr. 182/20, vol. 6, fq. 232, ZK 2380, me sipërfaqe 300 m2, në pronësi të shtetasit E.Ç;
5. Pasuri e paluajtshme “Pyll” me sipërfaqe 10.000 m2 dhe e kufizuar në favor të E.Ç. dhe B. C. sipas Kontratës së Shitjes së Pasurisë së Paluajtshme me Rezervë me Kalim Pronësie Nr. 4094 Rep, Nr. 978 Kol datë 09.08.2020, me referencën nr. 3829; dhe
6. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, nr 1/51+3-19, e zones kadastrale 2364 me siperfaqe 52.63 m2;
II. Sekuestrimin e pasurive të luajtshme si më poshtë vijon:
1. Llogari ndihmese interesi në “Credins Bank”, gjendje kreditore 90.093,76 euro, në emër të shtetases B.C.
Kërkesa e Prokurorisë u gjet e drejtë nga Gjykata e cila vendosi sekuestrimin e pasrive si më sipër, cituar, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025.