Në ‘gjurmët’ e Fred Pezës/ Nuk paguan punonjësit, në zyrën e Eni Vasilit ‘vërshojnë’ paditë
Eni Vasili, drejtoresha e RTSH, e cila erdhi me shumë premtime dhe energji, duket se e ka ‘lënë karburanti’ rrugës dhe shumë shpejt do jetë në të njëjtat kushte me pararendësin e saj, Alfred Peza.
Mësohet se drejtorevica po merr çdo ditë padi nga avokatë të ndryshëm për mospagesë të pagave.
Gazetarja Kozeta kurti dhe stafi i saj, bashkë me muzikantë të bandës, të cilët bënin emisionin ‘Ditari i një artisti’, kanë kërkuar rrogat e tyre, të cilat nuk janë marrë prej pesë muajsh. Pasi nuk ka gjetur dot ‘gjuhën e përbashkët’ as me Eni Vasilin dhe as me drejtoreshën e prodhimit, Anduena Manushi, Kurti ka kërcënuar me gjyq.
Por, duket se padia nuk i bën përshtypje Vasilit. ‘Vazhdo!’, ka qenë përgjigja, e denjë për një njeri që nuk mban fare përgjegjësi për institucionin që drejton.
Emisionin e drekës “Mes nesh” e Andri Xhahos dhe Iva Shabanit e mbyllën 1 muaj para kontratës. Pavarësisht se kontrata ishte deri në fund të korrikut, e mbyllën që në qershor. Duke qenë staf i brendshëm, ata u detyruan të firmosnin një dokument për mbyllje të emisionit paraprakisht. Dhe sot e kësaj dite, ata nuk janë paguar, edhe pse janë pjesë organike e RTSH.
Edhe Mentor Nazarko ka ngritur padi ndaj drejtorevicës së papërgjegjshme, pasi nuk ka mundur dot të gjejë të drejtën e tij për t’u paguar për punën që bën.
Por këto janë vetëm disa nga emrat. Burime për ‘Pamfleti’ konfirmojnë se në zyrën e Vasilit, çdo ditë trokasin avokatë të ndryshëm me padi dhe thirrje për gjyq.
Premtimin që bëri në krye të herës, se askush nuk do të lëvizte nga pozicioni i punës, Eni Vasili e ‘ka shkelur me të dyja këmbët’. I gjithë stafi i drejtorëve juridikë e ekonomikë janë shkarkuar tashmë, edhe pse në mbledhjen e parë me ta, i siguroi: Rrini të qetë, nuk do pushohet asnjë nga puna!
E vërteta është që, nga 200 veta me kontratë, të cilët duhet të ishin paguaruar 20 dite pasi ka kaluar muaji, nuk i kanë marrë pagat e tyre edhe tani pas pesë muajsh.
Drejtoresha që do bënte ‘namin’ në reformim, deri tani ka bërë një ‘vrimë të madhe në xhepat e punonjësve’. Fraza ‘nuk kemi lekë’ është kthyer në moton e saj. Edhe pse duhet thënë se me të njëjtat të ardhura si tani, janë mbajtur punonjësit në punë edhe më herët. Ku shkojnë gjithë të ardhurat dhe taksat që mblidhen për RTSH? Nëse nuk paguhen punojësit, atëherë mos na i merrni ato paratë që paguajmë me pahir për një televizion që as nuk e shohim?! /Pamfleti