Fantazia e diktatorëve: të mos ikin kurrë, as nga jeta dhe as nga pushteti!
Ashtu si Mao dhe Stalini dikur, edhe Putin dhe Xi treguan një obsesion tipik të autokratëve: jo oraret zyrtare, por vetë jetëgjatësinë….
Mbërritja e Mao Ce Dunit në Bashkimin Sovjetik në dhjetor 1949 shënoi një nga vizitat më të çuditshme shtetërore në historinë e diplomacisë. Zyrtarisht, presidenti i Republikës Popullore të Kinës kishte shkuar në Moskë për të festuar 70-vjetorin e Josif Stalinit. Në realitet, Mao kërkonte një traktat të ri miqësie kinezo-sovjetike. Si fillim, Stalini refuzoi, por Mao vendosi ta “përrallonte” me durim. Ai qëndroi më shumë se dy muaj në BRSS, derisa Stalini u dorëzua dhe e nënshkroi marrëveshjen.
Kjo anekdotë ende tingëllon aktuale. Së pari, sepse në Kinë ka nisur një ringjallje e figurës së Mao-s, ndërsa në Rusi Stalini po glorifikohet hapur. Së dyti, sepse raporti i forcave duket se është përmbysur: këtë herë ishte Vladimir Putin ai që vizitoi gjatë Kinën për t’i treguar respekt Xi Jinping-ut. Nga 31 gushti deri më 3 shtator, Putin mori pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Tianjin dhe në paradën ushtarake madhore në Pekin.
Obsesioni i diktatorëve me kohën
Ashtu si Mao dhe Stalini dikur, edhe Putin dhe Xi treguan një obsesion tipik të autokratëve: jo oraret zyrtare, por vetë jetëgjatësinë. Mikrofonët regjistruan një bisedë mes tyre ku Putin foli për përparimet në bioteknologji dhe transplantet e organeve, duke shtuar se ndoshta njeriu mund të arrijë “pavdekësinë”. Xi iu përgjigj se ka parashikime që njeriu mund të jetojë deri në 150 vjeç përpara fundit të këtij shekulli.
Në një konferencë shtypi, Putin konfirmoi se kishte diskutuar për jetëgjatësinë me Xi, duke kujtuar se kishte pasur të njëjtën bisedë edhe me Silvio Berlusconin, i cili vdiq në vitin 2023 dhe njihej për operacionet kozmetike.
Miti socialist i ringjalljes
Kjo bisedë nuk është aq e rastësishme. Në fillimet e shekullit XX, në Rusi lindi një rrymë filozofike e njohur si “biokimistët”, që besonin se socializmi nuk duhej të zhdukte vetëm pronën private, por edhe vetë kufizimin e fundit: vdekjen. Ata madje kërkonin ringjalljen e të vdekurve që të ndanin drejtësinë socialiste.
Në vitet 1920, shoku i Leninit, Aleksandër Bogdanov, krijoi një institut për transfuzionet e gjakut, duke eksperimentuar me rinovimin e trupit dhe mendjes. Utopia e pavdekësisë u mishërua edhe në vendimin për ta balsamosur Leninin pas vdekjes, në pritje të një ringjalljeje të mundshme.
Nga “koha e jetës” tek “koha e botës”
Filozofi Hans Blumenberg dallonte mes “kohës së jetës” (jetëgjatësia e individit) dhe “kohës së botës” (historisë pa fund). Njerëzit e zakonshëm përpiqen ta kapërcejnë këtë hendek me mjete të vogla – teknologji, shpejtësi, efikasitet – për të fituar më shumë kohë të lirë. Diktatorët, përkundrazi, përpiqen ta zhdukin krejt këtë dallim, duke e përjetësuar veten si personazhe historikë të pazëvendësueshëm.
Hitleri, për shembull, kërkonte që perandoria naziste të kompletohej brenda jetës së tij. Kur kuptoi humbjen, preferoi që e gjithë bota të shkatërrohej bashkë me të. Ky “narcizëm absolut” i diktatorëve është në themel të obsesionit me pavdekësinë.
Shoqëria e vampirëve
Putini dhe Xi nuk janë Hitleri, por logjika është e ngjashme: për ta, përjetësia politike ushqehet me gjakun e të tjerëve. Filozofi Boris Groys e ka quajtur këtë model “shoqëri vampirësh”.
Putini është shembulli më i qartë: pushtimi i Ukrainës ka prodhuar mbi një milion ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur, pa llogaritur viktimat ukrainase. Xi, nga ana tjetër, ka futur në kampe të tërë popullsinë ujgure në Xinjiang. Një vampir i vërtetë nuk do të mund të pinte kaq shumë gjak.
Në Pekin, në një takim publik me kryeministrin sllovak Robert Fico, Putin e përmbylli me një fjali që pasqyron qartë filozofinë e tij të jetës dhe pushtetit: “Për sa kohë jam gjallë, jam mirë.” /Përshtati “Pamfleti” nga “World Crunch”