‘Do të miratojmë Kodin e ri Penal dhe atë Civil’, ministri i Drejtësisë: Jemi shumë pranë integrimit në BE
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, tha se Shqipëria është tashmë në një fazë të re falë reformës në drejtësi, e cila sipas tij, ka ende nevojë të konsolidohet.
“Shqipëria ka kryer reformën më ambicioze, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, Reformën në Drejtësi. Sot Shqipëria nuk është ajo e 16 viteve më parë. Kurrë s’kemi qenë kaq pranë Bashkimit Europian.
Konsolidimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi dhe përafrimi i korpusit tonë ligjor me atë europian, janë mes prioriteteve të Programit tonë Qeverisës 2025-2029 dhe të miave si Ministër i Drejtësisë”, tha Lamallari.
Teksa evokoi kohën kur edhe ishte një student i Fakultetit të Drejtësisë, Lamallari iu bëri thirrje studentëve të sapodiplomuar të japin kontributin e tyre si juristë e profesionistë të rinj.
“Kjo punë nuk bëhet vetëm e as është “one man show”, prandaj ju ftoj të gjithëve t’i bashkëngjiteni kësaj përpjekje të qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për t’i shërbyer vendit me integritet dhe profesionalizëm”, deklaroi Ministri i Drejtësisë në fjalën e tij.
Më tej ai përmendi edhe punën e madhe që është përpara për Kodin e ri Penal dhe Kodin Civil.