Hamasi pranon planin e SHBA për Gazën, Trump ultimatum Izraelit: Tani ndaloni bombardimet!
Pikat kryesore të planit për t’i dhënë fund luftës në Gaza përfshijnë: lirimin e pengjeve, çarmatosjen dhe shpërbërjen e Hamasit, si dhe krijimin e një qeverie të përkohshme mbikëqyrëse, e cila do të drejtohet nga Trump dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Hamasi ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, por kërkon negociata të mëtejshme mbi një numër çështjesh të përcaktuara në planin e paqes të SHBA-së për Gazën.
Pas deklaratës së Hamasit, Benjamin Netanyahu u shpreh se Izraeli po “përgatitet të zbatojë menjëherë” fazën e parë të planit të Donald Trump.
Gjithashtu u zotua të punojë “në bashkëpunim të plotë me Presidentin dhe ekipin e tij për t’i dhënë fund luftës”.
Njoftimet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump i dha Hamasit një afat të dielën për të pranuar planin e paqes ose do të përballej me “të gjithë ferrin”.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump thotë se beson që Hamasi është “gati për një paqe të qëndrueshme”.
Presidenti amerikan i bëri thirrje Izraelit të “ndalojë menjëherë bombardimet”, me qeverinë izraelite që tha se ishte gati për “zbatimin e menjëhershëm” të fazës së parë të planit me “lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”.
Pikat për të cilat Hamasi bie dakord:
Hamasi pranoi të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump u dha një afat deri të dielën për të pranuar planin e tij të paqes për Gazën.
Gjithashtu tha se “rinovon marrëveshjen e saj për t’ia dorëzuar administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të pavarurish (teknokratësh), bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe mbështetjen arabe dhe islamike”.
Por Hamasi dëshiron negociata të mëtejshme mbi këto pika:
Grupi nuk përmendi çarmatimin në deklaratën e tyre. Gjithashtu nuk pranoi të mos luante më rol në qeverisjen e Gazës.
Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer ka mirëpritur vendimin e Hamasit për të pranuar planin e propozuar nga SHBA për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Në një deklaratë zyrtare, ai tha thotë se Britania e Madhe mbështet përpjekjet e presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili po afron gjithmonë e më shumë drejt paqes.
“Pranimi nga Hamas i planit amerikan të paqes është një hap i rëndësishëm përpara. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e Presidentit Trump, të cilat na kanë afruar më shumë se kurrë më parë drejt paqes. Tani ekziston një mundësi për t’i dhënë fund luftimeve, për kthimin e pengjeve në shtëpi dhe për t’i çuar ndihmat humanitare atyre që kanë aq shumë nevojë për to. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zbatojnë marrëveshjen pa vonesë. Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët tanë, është gati të mbështesë negociata të mëtejshme dhe të punojë drejt një paqeje të qëndrueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët.”, shkruan ai.