Parashikimi i Jeff Bezos për vitin 2045: Miliona njerëz do të jetojnë në hapësirë, robotët do të bëjnë punën tonë
Jeff Bezos, themeluesi i “Amazon” dhe një nga figurat më me ndikim në botën e teknologjisë, ka bërë një deklaratë që ka ngjallur shumë reagime. Gjatë “Italian Tech Week 2025”, ai parashikoi se deri në vitin 2045, robotët do të kryejnë shumicën e punëve, ndërsa miliona njerëz do të jetojnë në hapësirë.
Në fjalimin e tij, Bezos u shpreh se për dekadat e ardhshme njerëzimi do të përballet me një transformim të jashtëzakonshëm teknologjik, i cili do të ndryshojë përfundimisht mënyrën se si jetojmë dhe punojmë.
“Unë besoj se në 20 vitet e ardhshme do të kemi miliona njerëz që do të jetojnë në hapësirë. Robotët do të bëjnë punën e vështirë, ndërsa njerëzit do të merren me krijimtarinë dhe inovacionin,” – tha Bezos, sipas raportimit të New York Post.
Sipas tij, zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe robotikë do të çojnë në një periudhë të re të evolucionit njerëzor, ku puna fizike do t’i lihet makinave dhe njerëzit do të kenë mundësi të eksplorojnë përtej kufijve të Tokës.
Bezos ka qenë prej vitesh një mbështetës i idesë për kolonizimin e hapësirës përmes kompanisë së tij “Blue Origin”, ndërsa në fjalimin e fundit theksoi se ky vizion është më afër realizimit se kurrë më parë.
“Miliona njerëz në hapësirë,kjo nuk është fantashkencë, është e ardhmja që po ndërtojmë,” – shtoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur figura të tjera të teknologjisë, si Elon Musk dhe Sam Altman, ndajnë vizione të ngjashme për jetën përtej Tokës, ndërsa Bill Gates vazhdon të mbetet skeptik, duke theksuar se prioritet duhet të mbetet planeti ynë./E.K
Burimi: New York Post