Durrës. Djali vrau me thikën e bukës të atin , fqinjët: Autori kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri, viktima jetonte me një grua tjetër
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Shkallnur të Durrësit, ku Marjan Kodheli ka vrarë me thikën e bukës babain e tij, Pjetër Kodheli, brenda banesës.
Sipas burimeve, krimi ndodhur pas një konflikti të çastit mes babait dhe djalit, ndërsa viktima ka ndërruar jetë në vend nga plagët e marra.
Fqinjët e familjes Kodheli kanë treguar se autori ishte kthyer prej pak kohësh nga jashtë shtetit.
“Djali ka qenë jashtë. Ne s’kemi qenë në shtëpi. Këta janë nga Mirdita, ka 6 fëmijë. Ai djali ka qenë jashtë shtetit, i vdiq e ëma i ra tjegulla në kokë. Po kanë qenë familje e mirë. Ka pas çunin këtu, fëmijët e tjerë janë të gjithë jashtë. Ne nuk kemi qenë në shtëpi sot. Djali është beqar, gruaja aty është e viktimës”, tha fqinji.
Autori 25-vjeçar është arrestuar menjëherë nga forcat e rendit, ndërsa po merret në pyetje për të sqaruar motivet e ngjarjes.
I riu raportohet se fillimisht ka qëlluar të atin, 69-vjeçar me dru në kokë dhe më pas ka marrë thikën duke e goditur në zemër, plagë që ka rezultuar fatale për jetën e tij.
Njoftimi i Policisë:
“Në vijim të informacionit të dhënë mbi vrasjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit P. K., informojmë se, si rezultat i kontrollit intensiv, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës mundësuan lokalizimin në lagjen nr. 13 dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit M. K., 25 vjeç (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), djalit të shtetasit P. K..”, informuan blutë.