Si do të ishte ” Parisi në shekullin XX ” Historia e (mos)botimit të romanit fantastiko-shkencor të Jules Verne -it (Zhyl Ver’n):”Paris au XX-e siecle”. Nga Erenik Vokshi
Në vitin 1863 Jules Verne ishte në hapat e parë të romaneve fantastiko-shkencore. Ai dorëzon për botim dorëshkrimin e një romani me titull : “Parisi në shek. XX”. Botuesi i njohur i asaj kohe ; Pierre Jules Hetzel, nuk pranoi ta botonte, sepse sipas tij romani ishte pesimist, jo i kohës etj.. Në fakt mund të jetë i vetmi roman me fund tragjik i Verne-it. Botuesi i sugjeroi Verne-it , ta botojë atë pas 20 vjetësh. Dorëshkrimi mbeti i mbyllur në një kasafortë, derisa u zbulua në 1989 nga pasardhës të Vernit. U botua për herë të parë në 1994.
Ngjarjet zhvillohen në Parisin e viteve 1960 ,të ndriçuar nga drita elektrike ( në fakt llampat elektrike filluan të përdoren vite më vonë ( pas vitit1880 ), të përshkuar nga rrjete hekurudhore ( metroja e parë u ndërtua në Londër pikërisht në 1863), ku lëvizin trena të shpejtë , të vëna në punë nëpërmjet magnetizmit.
Parisi është një metropol industrial dhe financiar, ku gjenden qiellgërvishtëse të xhamta.
Ka gjithashtu “Kalkulatorë” elektrikë, të cilët kryejnë veprime (operacione) të ndërlikuara në pak sekonda. (Kompjuteri i parë i përdorshëm u prodhua diku nga 1936-39 nga Zuse në Gjermani). Diku flitet dhe për karriken elektrike. Ekziston gjithashtu një rrjet global komunikimi, me anë të të cilit dërgohen të dhëna dhe dokumente kudo në çast. Në fakt rrjeti funksionon në mënyrë telegrafike ( në fakt Morse-i e ka shpikur tashmë telegrafin në 1837) dhe pajisjet përbërëse quhen facsimil-e. Në qytet lëvizin automobilë me gaz. (Automobili i parë me lëndë djegëse: 1883, megjithëse janë bërë përpjekje për të ndërtuar automobila me avull etj..) Në vepër përmendet klimatizimi i ambienteve dhe pajisje të ngjashme me televizorët. Megjithatë njerëzit nuk çuditen nga këto mrekulli; ata i përdorin ato me qetësi dhe pa ndonjë gezim. Autori vendos në libër një far gjigant, pikërisht aty ku është sot “La Tour Eiffel”, e përfunduar në 1889.
Është një botë ku funksionet e deputetëve etj., janë të trashëgueshme. Përparësi ka teknologjia dhe fitimi financiar.
Personazhi kryesor është një poet i quajtu Michel ( Mishel) Dufrenoy. Misheli shkruan poezi në latinisht që pak ose aspak vetë i lexojnë. Ai kërkon në librari vepra të Hugo-it, Lamartine-it dhe Balzac-ut, por nuk gjen. Në vend të tyre i sugjerojnë vjersha ku i thuren lavde arritjeve teknologjike. Në fund të veprës personazhi kryesor vdes bashkë me të dashurën.