Në përkujtim të 60-vjetorit të Grupit të deputetëve demokratë.
Shefqet Beja
Një jetë në shërbim të Kombit dhe të Atdheut.
(Mendimtar, demokrat, organizator dhe udhëheqës i Rezistencës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Reformator dhe ndërtues i shtetit ligjor.)
1912 – 1946
Cikël shkrimesh nga Daut Hoxha

Historia dhe individi ecin krah për krah me njëri – tjetrin. Ata sjellin ngjarje dhe momente kulmore të historisë të cilat ngadalësohen apo përshpejtohen nga individë dhe grupime shoqërore që me kapacitetet e tyre intelektuale dhe organizative i japin emrin e tyre. Në këtë vështrim historiko-shoqëror ka vendin dhe bëhet pjesë figura gjithëplanëshe e qytetarit të nderuar të ,qytetit tonë, Durrësit , Shefqet Beja . Jo rastësisht dhe lindja e tij përkon si me porosi në emër të Zotit dhe të kombit, me një nga ngjarjet madhore të historisë , ajo e Pavarësisë dhe e lindjes së shtetit modern Shqiptar 28 Nëntor 1912.
Sheqet Beja u lind dhe u rrit në një familje patriote me mendime demokrate , dëshmi e jetës dhe e veprimtarisë qytetare durrsake që na e dëshmon historia mbi 3-mijëvjeçare e qytetit tonë.
Qyteti i lindjes në të gjithë periudhat historike si në ngritje ashtu dhe në ulje, popullsia intelektuale , qytetaria durrsake e kanë ndihmuar Shqeqet Bejën në edukimin patriotik e shoqëror të tij . Ky mjedis farkëtoi portretin e qytetarit, affaristir, të politikanit demokrat gjë që e ngriti Sheqet Bejën në rangun e lidershipit të mendimit demokratik per instalimin e shtetit ligjor. U arsimua së pari në vendlindjen e tij, në shkollën plotore, së dyti falë kujdesit të xhaxhait të tij Jusufit, një figurë e nderuar dhe veprimtar i lartë patriotiko-shoqëror i kohës (njëherazi ishte dhe një ekonomist i formuar). Ai ishte përfaqësuesi tipik i intelektualit dhe politikanit të viteve ’20 të shekullit të kaluar, i cili me bindjet dhe veprimtaritë e tij demokratike-shoqërore u bë mbështetës i republikanizmit dhe shtetit ligjor për të cilin nuk rreshti asnjë çast së kontribuari. Vitet ’20 dallohen për ndjenjat republikane dhe veprimtari demokratike. Në këto vite Jusuf Beja, xhaxhai i Shefqet Bejës, kryente detyrën e kryetarit të Bashkisë së qytetit dhe të deputetit të Parlamentit të parë shqiptar. Ishte gjithashtu pjesëmarrës aktiv i lëvizjes së Marsit 1922 dhe të revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 që e detyroi atë te mergojë në Itali pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit. Pra në këtë taban patriotik, politik dhe shoqëror u rrit dhe u formua Shefqet Beja . Ai u arsimua në një rrugë ndryshe duke ndjekur një kurs të vecantë lëndësh shoqërore dhe shkencore me pedagogë të huaj austriakë dhe italianë. Në këtë mënyrë plotësoi programin e plotë të shkollës së mesme austriake.
Në vitin 1929 shkoi në Itali, ku ndjek kurset ekonomike të biznesit tregtar dhe njëherazi paralel me pregatitjen ekonomike ai studion dhe përvetëson njohuritë shkencore në lëmin e historisë botërore të letërsisë dhe artit modern bashkëkohor duke mos lënë pas dore përgatitjen në fushën e jurisprudencës. Kjo i shërbeu për njohjen dhe përvetësimin e gjuhëve italiane dhe anglo-saksone me të cilat ai lexoi dhe u njoh me kolosët e letërsisë botërore. Po kështu u njoh dhe me mendimet filozofike bashkëkohore në veçanti në fushën e ekonomisë.
Duke punuar pranë firmës së madhe “LA TERZA”, si provë për të fituar aftësitë organizzative të drejtimit në planin e biznesit dhe të modelimit të reklamës duke ndjekur proçesin e mënyrave të prodhimit dhe të shfytëzimit të tij shoqëror, ai formohet si qytetar dhe biznesmen demokrat në drejtime sociale.
Kujdesi dhe jeta pranë xhaxha Jusufit qenë për të një “fakultet politik”. Aty Shefqet Beja u njoh me potenciale intelektuale në fushen politiko-shoqërore të kohës dhe me korifejtë e republikanizmit shqiptar si : Bahri Omari, Sheh Ibrahim Karbunara, Dr Omer Nishani etj, të cilet influencuan që në personin e tij , të formohen bindjet republikane në shërbim të Kombit dhe të popullit.
Kështu me kthimin e tij në Atdhe pas plotësimit të këtij portreti u bë pjesë e levizjes demokratike republikane ku ra në kontakt me figura të larta dhe profile shkencore si prof. Gjergj kokoshin, Av.Skënder Muçon, publicistin Mustafa Gjinishi dhe gazetarin Branko Merxhani duke u bërë tribunë e mendimit demokrat të qytetarisë durrsake. Në këtë kohë bëhet bashkëpunëtor në shtypin demokratik të kohës duke botuar në gazeta dhe revista si “Rilindja”, “Bota e Re”, “Bujku” me pseudonimin SHEBE. Shkrimet e tij me kronika të veçanta si : “Jeta siç është”, “Nga jeta jonë” u bënë fshikullimë e politikës ekonomiko-shoqërore monarkiste, ku u bënë dhe thirrje për ndryshimin politik të sistemit, njëherazi jepnin mezazhe për platforma dhe rrugë që duheshin ndjekur për këtë ndryshim. Kjo veprimtari publicistike rriti figurën e tij prej gazetari demokrat duke u bërë njëkohësisht i afërt dhe i dashur për rininë përparimtare të kohës. Në vitin 1928 ai krijoi shoqërinë kulturore-sportive “Teuta” me elementë nga të rinjtë e fabrikës “STAMLES” me nxënësit e shkollave të ulëta dhe të mesme, me të rinjtë universitarë që studionin jashtë vendit duke çuar në 1936 në krijimin e shoqatës “Durrësi” e cila u bë mbështetëse e grupit demokrat që mori pjesë në fushatë elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor (bashkiake) për qytetin e Durrësit.
Ky grup të rinjsh demokratë fitoi përballë grupit konservator monarkist dhe bëri që 24 vjeçari Shefqet Beja të zgjidhet kryetar i Këshillit Bashkiak të Durrësit. Shkalla e lartë e kualifikimit në sferën ekonomike do ta bënte atë një zbatues të metodave pragmatiste amerikane duke kombinuar drejt raportet e fitimit pasuror me elementë socialë. Këtë gjë do ta shohim në punën e tij drejtuese organizative të prodhimit me cilësinë e Nënkryetarit të Asamblesë aksionare dhe kryetar i këshillit kontrollues të fabrikës “STAMLES. Edhe pse fabrika e ndërpret prodhimin për shkak të pushtimit fashist në shtator ’43 – shkurt ’45 punëtoreve iu dha paga falë kujdesit dhe këmbënguljes së Shefqet Bejës.
Pushtimi fashist i vendit e vuri Shefqet Bejën në krye të drejtimit dhe organizimit të rezistencës antifashiste në qarkun e Durrësit. Pranë tij u afruan qytetarë durrsakë patriotë dhe demokratë. Kjo situatë e re që u krijua për shkak të pushtimit fashist kërkonte një lidership dhe një klasë të re politike drejtuese ngaqë monarkia nuk ju përgjigj kërkesave historike të kohës duke mos qenë e zonja të drejtonte dhe të organizonte rezistencën, gjë që çoi në rrjedhoja të padëshiruara për kombin dhe popullin.
Në këtë gjendje të re të pazakontë do të spikaste aftësia dhe kapaciteti intelektual politik i Shefqet Bejës , gjë që do ta bënte pikë bashkimi të individëve të qarkut të Durrësit ne luften kundër fashizmit. Ndër këta individë mund të përmendim zotërinjtë : Spiro Bakalli, av. Sulo Bogda, Dr. Enver Sazani, Dr. Medar Shtylla, Nako Spiru etj. Krahas veprimtarisë në qarkun e Durrësit ky njeri me shpirt patrioti lëviz në mbarë Shqipërinë dhe mban lidhje me figura të shquara si: Av. Skënder Muço, publicistin Mustafa Gjinishi, Dr. Ymer Dishnicën, ekonomistët Riza Dani, Ramazan Jarani, me rilindësin e brezit të fundit Ndoc Çobën dhe komandantët popullor Myslim Peza dhe Abaz Kupi që bëjnë përpjekje për organizimin e rezistencës antifashiste.
Në këtë plan ai do të mbështesë mendimin për thirrjen e një kuvendi mbarëshqiptar që do të merrte të gjitha përgjegjësitë dhe atributet në emër të kombit dhe popullit shqiptar. Shefqet Beja mbështetës i idesë së thirrjes së këtij kuvendi në Pezë duke ndihmuar direkt organizatorët e saj Dr. Ymer Dishnicën dhe publicistin Mustafa Gjinishi.
Në këtë kuvend ai do të përfaqësojë së bashku me shokë të tjerë popullin e qarkut të Durrësit dhe në veçanti intelektualët durrsakë. Në Konferencën e Pezës ai do të ishte aktiv me diskutimet e tij si në seancat plenare ashtu dhe në intervalet e pushimit ndërmjet seancave ku diskutonte dhe debatonte me pjesëmarrësit në Konferencë për orientimin e platformës politike të Konferencës së Pezës në drejtim të aleancës antifashiste demokratike të drejtuar nga SHBA, Britania e madhe dhe Bashkimi Sovjetik. Fill pas mbarimit të Konferencës së Pezës ku zgjidhet anëtar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional-Çlirimtar Shefqet Beja së bashku me zotërinjtë përfaqësues të Qarkut të Durrësit në këtë Konferencë organizon veprimtari luftarake dhe bëhet protagonist i kësaj platforme dhe pa vonesë organizon mbledhjen e aktivit për zgjedhjen e organeve drejtuese të Frontit Nacionalclirimtar për Qarkun e Durrësit me 04.10.1942 ku kryetar zgjidhet Av. Sulo Bogda, nënkryetar Shefqet Beja, sekretar Masar Shehu i P.K.SH. dhe anëtar Dr. Enver Sazani, Spiro Bakalli.
Në këtë kuadër lufta Antifashiste në Qarkun e Durrësit merr përmasa të mëdha në disa drejtime si : në propagandimin politik të luftës antifashiste, në veprimet ushtarake dhe në krijimin e një baze materiale ushqimore.
Në planin politik organizohet dhe botohet gazeta “Bashkimi” gazetari i parë i së cilës ishte Shefqet Beja. Me shkrimet e tij në këtë gazetë ai bënte thirrje për luftë te armatosur antifashiste dhe mbështetjen e saj me ndihmë materiale dhe financiare. I pari që ndihmoi me bazë materiale dhe financiare këtë luftë ishte Shefqet Beja. Nën shembullin e tij i gjithë populli i Durrësit, në vecanti klasa e biznesit dhe afaristëve durrsakë u bënë kontribuesit e parë dhe kryesorë ekonomikë për bazën e luftës antifashiste, siç ishte Peza heroike e babë Myslimit.
Pas Konferencës së Pezës veprimtaria e Shefqet Bejes ra në sy tek pushtuesit nazifashistë dhe në pranverën e vitit 1943 arrestohet dhe internohet në Diber, por për mungesë provash lirohet dhe atë do ta gjeje në Durres dhe në të gjithë Shqipërinë. Gjithnjë në rritje personaliteti i tij, gjë që u pa me zgjedhjen e tij anëtar i Këshillit të Përgjithshem të Frontit Nacionalclirimtar në Labinot dhe më vonë nenkryetar i Komitetit Nacionalçlirimtar në Përmet, komitet që kishte atributet e një qeverie provizore. Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalclirimtar në Berat tetor ’44 ky komitet kthehet në qeveri provizore dhe përsëri Shefqet Beja zgjidhet Nënkryemininster. Po në këtë mbledhje ai zgjidhet NënPresident i Këshillit të Përgjithshëm i Frontit Nacionalçlirimtar. (Në këtë moment President i Frontit Nacionaçlirimtar ishte ushtaraku patriot kolonel Kamber Qafmolla dhe sekretar i përgjithshëm pubblicisti Mustafa Gjinishi).
Në Berat do të binte në sy kapacieteti i Shefqet Bejës si legjislator në formulimin e “Kartës së lirive dhe te drejtave te njeriut” si dhe ne hartimin e nje ligji themeltar për një sistem politik demokratik, që do të shërbente për drejtimin e shtetit deri në zgjedhjen e Asamblese Legislative.
Çlirimi i Tiranës , ardhja e udhëheqjes së Luftes Antifashiste do ta gjente Shefqet Bejën në poste te larta drejtuese. Në Tiranë zgjidhet përsëri NënPresident i Frontit Demokratik. Kjo do të afishojë kapacitetet e tij të legjislacionit në fushën e ekonomisë dhe me themelimin e Bankës Kombëtare zgjidhet anëtar i këshillit administrativ. Në fushën e publicistikës ai do të shfaqë mendimet dhe argumentet e tij për një platformë politiko ekonomike demokratike me sens perëndimor. Kjo gjë nuk do të kalonte pa i rënë në sy diktatorit të ardhshëm të lakejve të tij , që tek Shefqet Beja dhe personalitete të tjere si ai do të gjente kundërshtime. Tashmë ai bëhet epiqendra e mendimit demokratik perëndimor. Për shkak të detyrave që kryente në qeverisjen e vendit ai vendoset në Tiranë. Krahas detyrave që kishte ai u caktua dhe me detyrën e Kryetarit të Frontit të Prefekturës së Tiranës , ku gjatë dhjetë muajve të drejtimit të pushtetit vendor ai e ngriti dhe e forcoi atë duke plotësuar kuadrin ligjor. Ai organizoi seminare dhe kurse me punonjësit e administratës bazë. Si specialist i fushës së biznesit dhe afarizmit ekonomik ai vlerësohet dhe njihet nga rrethet tregtare-industriale të kohës për hartimin dhe konceptimin demokratik të legjislacionit të kesaj fushe. Ai ishte një nga drejtuesit më në zë të shoqërisë së madhe import – eksport ku mbante vendin e administratorit delegat, ose e thënë ndryshe drejtor i përgjithshëm.
Padyshim në fillimet e vendosjes së pushtetit demokratik lindi nevoja për hartimin e një legjislacioni për sistemin politik që duhej ndërtuar dhe për këtë Shefqet Beja bëri thirrje dhe u mbështet nga personalitetet e njohura dhe intelektuale me funksione drejtuese për thirrjen e Asamblesë Kushtetuese të 2 Dhjetor 1945. Për të arritur atë që donte në këtë Asamble Kushtetuese Shefqet Beja dhe personalitetet e tjera, vendosën që krahas veprimtarisë legale të organizonin dhe veprimtari në një front opozitar me shtresat dhe forcat nacionaliste demokratike për të dalë në zgjedhje si grupim më vete. Kështu për të arritur këtë aksion morën si shtysë disa sinjale nga ana e përfaqësuesve aleatë perëndimorë të atashuar në vendin tonë të cilët kërkonin zgjedhje të lira dhe demokratike, kërkonin ngritjen e institucioneve demokratike për organizimin e shtetit ligjor. Në keto çaste Shefqet Beja bëhet nismëtar i një takimi njohjeje me personalitete me mendime ndryshe të cilët kishin shfaqur forma organizimi.
Në një moment të caktuar bëhet takimi i tyre me pjesëmarrjen e grupit të rezistencës , monarkistë dhe socialdemokratë , të cilët formuan “Komitetin nacional-inciator”. Ky grupim bëri një fushatë për njohien e ligjit zgjedhor dhe propagandandë për të votuar kandidatët e pavarur. Po kështu Komiteti do të përgatiste një “Rezolutë parashtruese” për zgjedhjet që do të zhvilloheshin, të cilën do ua dërgonin qeverive perëndimore me anën e misioneve të tyre në Tiranë. Si në mbarë vendin ashtu dhe në Durrës dhe në Qarkun e tij u përgatitën listat e kandidatëve për deputet. Shefqeti do të renditej i pari në këtë listë dhe në votime ai mori maksimumin e votave, pra u zgjodh asamblist. Në këto votime arritjet e e grupit të pavarur demokrat nuk u panë me sy të mirë nga udhëheqja e Partisë Komuniste e Shqipërisë e cila në Pleniumin e 6 shkurtit 1946 do të lëshonte rrufetë e së keqes mbi këto personalitete të fjalës dhe mendimit të lirë, duke krijuar alibinë e grupit tradhëtar të deputetëve, ku në krye të ketij grupi ishte biri i qytetit tonë Shefqet Beja. Gjyqet e zhvilluara në vitin 1946 s’kishin të mbaruar dhe histeria antidemokratike u shoqërua me dhënien e dënimeve kapitale.
Ata u sakrifikuan në emër të atdheut, të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe në emër të krijimit të shtetit të së drejtës.
Sot më shumë se kurrë ne përkujtojme veprimtarinë dhe përkushtimin e tyre. Në mesin e këtyre martirëve të demokracisë, një emër do të mbesë në jetë të jetëve , Shefqet Beja.