“15 ditë prilli”. Drama e parë për vitin 2025 në Teatrin “Aleksandër Moisiu”
Drama “ 15 ditë prilli”, që rrëfen trazirat në ditët e fundit të një sistemi totalitar do të vijë premierë në skenën teatrore. Bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores së njohur Anisa Markarjan, kjo shfaqje teatrore me regji nga Driada Dervishi është dhe premiera e parë për këtë vit në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit. Për shfaqjen teatrore që pritet premierë këtë kohë po vijojnë edhe provat e aktorëve nën drejtimin e regjisores.
“Vijojnë provat për premierën e dramës “15 ditë prilli”, bazuar në romanin të autores Anisa Markarian, që do të vijë së shpejti për artdashësit në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” nën regjinë e Driada Dervishit”, bën me dije teatri. Drama është konceptuar pa role kryesore dhe në të do të interpretojnë aktorë të njohur të skenës shqiptare, si dhe të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit si, Yllka Mujo, Sanije Hoti, Mimoza Marjanaku, Jaho Guma, Amos Zaharia, Suela Bako, Hervin Çuli, Romir Zalla, Xhuliano Brisku, Alesia Xhemalaj, Aleks Seitaj.
Aktorja Mimoza Marjanaku thotë se drama është programuar të jetë premierë më 1 mars në skenën teatrore. “Drama “15 ditë prilli” është premiera e parë për këtë vit e teatrit të Durrësit”, thotë aktorja e njohur Mimoza Marjanaku, që e kemi parë në role të ndryshme në skenë, në drama dhe komedi. Por ndërsa këtë kohë regjisorja Dervishi po vijon punën me aktorët për të sjellë në skenë premierën e dramës “15 ditë prilli”, një tjetër shfaqje me regji të saj do të rikthehet në skenë për publikun. Shfaqja “7 minuta” do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë në data 13-16 shkurt.
“15 ditë prilli”
Romani “15 ditë prilli” i shkrimtares Anisa Markarjan rrëfen ngjarje të një kohe që duket si e pakohë, por që i referohet qartë kohës së një sistemi totalitar, siç ishte Shqipëria e një të shkuare të afërt: nëpërmjet elementeve bashkëkohore përfshirë nga autorja vendngjarja mund të ishte Shqipëria, po edhe cilido vend tjetër i një kohe të përjetshme, ku e tashmja dhe e shkuara bashkëjetojnë e përsëriten fatalisht.
Anisa Makarjan lindi në Tiranë më 4 korrik 1962. Me gjithë prirjet për artin, sidomos për letërsinë e kinematografinë, ajo kreu studimet për mjekësi e punoi si mjeke anesteziste-reanimatore në Spitalin Nr. 2 të kryeqytetit deri në vitin 1991, kur emigroi në Francë. Krijimtarinë në letërsi e kinematografi e shpreh që në rininë e hershme. Mimoza Markarjan ka interpretuar edhe role të ndryshme në filma.
Disa nga tregimet e saj të para u botuan në vëllimet “Stina e gonxheve” (përzgjedhje me proza nga autorë të rinj, Sh. B. Naim Frasheri, 1990) dhe Jetë tjetër (antologji me krijime nga autorë mjeke, Neraida 2001). Në vitin 1999 boton librin e parë, “Sënduku i kujtimeve”, përmbledhje tregimesh (botime Çabej). Romani “15 ditë prilli” është libri i saj i dytë.