image

Nga Syrja Kurti

……

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

e kur bosh të ndjehesh si sonte,

largoji nipat harrakatë

dhe pleqtë e lodhur nga shtëpia,

edhe bashkëshortin e bezdisshëm po ashtu

fiki dritat

ndizi qirinjtë

lehtësoje veten nga rrobat e tepërta,

tymos diçka

(jo domosdoshmërisht marihuanë),

pi pak alkool

(jo domosdoshmërisht xhinin tonë të preferuar),

dhe ulur përdhe

mbështetur diku pranë një kanapeje

me sytë mbyllur si dera

dëgjo “When the music’s over”…

……

Kur unë të mos jem më

kujto se si kërkove te unë

hijen e diellit që e mori buzëqeshja e fëmijëve

hijen e hënës që u tret në lotët e të dashuruarve

hijen e yjeve që e vodhën gurët e çmuar të një unaze

hijen e dashurisë që e mban peng harrimi

hijen e martesës që e mori tej

tymi i një cigareje

me copëza dielli dhe hëne

yjesh e dashurish,

dredhur mbi letrën e bardhë të një ëndërrimi.

Kur unë të mos jem më

kujto se si më pe në një çast të jetës tënde

kur zonjat kërcenin valle dionisiake

përmbi mua,

dhe që të më shihje përsëri

guxove të fluturoje lart

shumë lart,

në një tjetër qiell,

pa kufinj,

me një blu aq të ndryshme

me retë aq të çuditshme

dhe me rrufetë që s’rreshtnin së djeguri

krijesat e dobëta frikacake

por dhe ata që mendonin se ishin trima.

…….

Kur unë të mos jem më

kujto si hyre ne shtratin tim

ashtu siç ishe

e etur

e dirsur

e nxehtë

inkandeshencë mishtore që tresje rrufetë

ndërsa nga goja jote mbi gjoksin tim lëshove

gjarpërin e gjuhës të helmonte

pahelmuar ç’kish mbetur nga ky trup,

dhe sa doja të më dënoje

me besnikëri të përjetshme

ndaj kafshëzës që rënkonte

mes kofshëve të tua

ulërimën e fundit të polifonisë së pashkruar

të udhëtarëve anonimë

por jo,

kujto se si u trëmbe e zbrite përsëri

atje ku ishe mësuar të jetoje,

në tokë

pranë zvarranikëve dhe rrufepritësve,

kujto se që atje poshtë qielli t’u duk

siç doje gjithmonë ta shihje ,

i qetë dhe i parrezikshëm ,

ndërsa unë nuk dukesha fare…

———-

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

mendo për një çast

se çfarë do të jetë çasti tjetër,

një pikturë anonime që e varim

e heqim,

e rivendosim

në të njëjtin mur të vjetër,

do të jetë puthje e ëmbël

dhe një dorë e vockël

që abazhurin fik me delikatesë,

apo psherëtima e të ftuarit të fundit

të një kortezhi mortor

që duke u larguar

një qiri ndez me përtesë…

…………

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

dhe në sytë e një dashurie të re

do të shohësh përsëri sytë e mi,

kur në puthjen e saj

të ndjesh puthjen time

kur në ardhjen e saj

të ndjesh rikthimin tim

kur në flirtin e ri

të rigjesh dashurinë e vjetër

do kuptosh se është thjeshtë një iluzion

ose një dashuri e madhe për vetveten

dhe do të qash…

………..

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha

do të kuptosh pamundësinë time

për të shmangur moslumturinë tënde

si dhe një ëndërr pabesueshmërisht

të besueshme,

gabimisht aq të drejtë,

pafajësisht aq fajtore,

kumbueshmërisht aq të shkretë,

dimërisht aq pranverore

pamundësinë tënde për të shmangur

moslumturinë time

si dhe një ëndërr,

ah sa fatkeqësissht

aq të ëndërrueshme…

……

Kur unë të mos jem më

dhe poezitë e mia t’i kesh lexuar të gjitha…

kur harresa të tjerët në gjumë t’i verë,

kujtomë si sonte

dhe kuptomë për një çast

siç të kuptova unë një jetë të tërë…

S.K.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading