Edhe një herë për portin e ri në Porto-Romano, pas ankimimit të kompanisë franceze Shqipëria rrezikon të mbetet pa port

0
image

Një krizë e re diplomatike dhe ekonomike duket se ka shpërthyer midis Shqipërisë dhe Francës pas një ankimi të rëndësishëm që ka ngritur alarmin për kontratën e portit të Durrësit, e vlerësuar në 393 milionë euro. Gjigandi francez, i cili kishte fituar tenderin për zhvillimin e portit, ka vendosur të ankimojë vendimin e qeverisë shqiptare pas një skualifikimi të papritur. Por ky zhvillim ka sjellë një përplasje të fortë diplomatike dhe ka tërhequr vëmendjen e niveleve të larta të shtetit francez. Tenderi për portin e Durrësit ka qenë një nga investimet më të mëdha infrastrukturore të parashikuara për Shqipërinë, që do të luante një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Megjithatë, skualifikimi i firmës franceze nga tenderi ka shkaktuar tensione të forta, ndërsa kompania në fjalë ka reaguar me zemërim, duke kërkuar rishikim të procesit.

Futet në lojë presidenti Marcron

Për më tepër, vizita e Presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë, e cila do të zhvillohet në muajin maj, ka sjellë shqetësim për përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Macron do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet më 16 maj. Ky samit do të ketë si fokus integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe do të përfshijë diskutime të nxehta për çështje të ndryshme politike dhe ekonomike, përfshirë edhe këtë tender të kontestuar për portin e Durrësit. Përplasja me Francën ka vënë Shqipërinë në një pozicion delikat. Ndërsa qeveria shqiptare qëndron pas vendimit të saj për të skualifikuar firmën franceze, akuzat se procesi ka qenë i njëanshëm dhe jo transparent kanë sjellë reagime të ashpra nga pala franceze. Tenderi që po trazon marrëdhëniet diplomatike, përveç pasojave ekonomike, mund të ketë ndikime të mëdha në proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, vizita e Macronit në Tiranë do të jetë një mundësi e rëndësishme për të sqaruar qëndrimet dhe për të arritur një marrëveshje që mund të ulë tensionet mes dy shteteve. Pra kjo vizitë, e cila është e dyta zyrtare e Macron në Shqipëri, do të shërbejë për të shtruar një tavolinë bisedimesh për të gjetur një zgjidhje dhe për të ruajtur marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

Transparenca

Ndërkohë të gjithë ata që janë të lidhur me këtë proces pritet të kërkojnë një hetim të plotë për të zbardhur të vërtetën pas kontratës dhe për të siguruar që procesi të jetë i pastër dhe i drejtë. Për më tepër, politikanët shqiptarë do të kenë shumë presion për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të siguruar që ky projekt i madh të mos humbasë për shkak të tensioneve të krijuara nga këtë ankimin e kompanisë franceze. Megjithatë kjo situatë ka ngritur shumë pyetje për të ardhmen e portit të Durrësit dhe për marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me Francën, ndërsa vendi po përpiqet të forcojë pozitat e tij në Europë. Pas këtij ankimi, Shqipëria mund të përballet me një periudhë të pasigurtë, ku kontrata e portit mund të hyjë në një proces të gjatë dhe të komplikuar gjyqësor, që mund të ndikojë edhe në investimet e tjera të huaja. Në mes të kësaj përplasjeje, vizita e Macronit mund të jetë një mundësi për të zbutur tensionet dhe për të rifilluar negociatat për të arritur një zgjidhje që do të sigurojë interesat e dy palëve, por edhe të ruajë dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Çfarë ka ndodhur?

Nga ana tjetër kujtojmë se procedura për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore të qeverisë shqiptare me vlerë mbi 390 milionë euro, është përfshirë në një përplasje të fortë ligjore. Konsorciumi “Jan De Nul NV – Soletanche Bachy International – Vinci Construction Geoinfrastructure”, një prej operatorëve ndërkombëtarë pjesëmarrës në tender, ka paraqitur ankesë zyrtare në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), pasi është skualifikuar nga gara. Ankesa e paraqitur lidhet me mënyrën se si Autoriteti Portual Durrës, në cilësinë e autoritetit kontraktor, ka vlerësuar ofertat teknike. Dokumenti përkatës nuk është ende i disponueshëm publikisht në sistemin e KPP-së, por burime zyrtare pohojnë se ankimi ka të bëjë me vlerësimin dhe skualifikimin e ofertës së konsorciumit francez. Nga pesë ofertat fillestare, vetëm dy u kualifikuan për fazën finale të garës: kompania holandeze “Van Oord Dredging and Marine Contractors b.v.” dhe kompania greke “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, me seli në Holandë.

Këto kompani do të përballen në fazën e ardhshme me ofertat ekonomike për të fituar kontratën gjigante. Procedura e tenderimit për portin në Porto Romano u rihap në dhjetor të vitit 2024, pas dështimit të një gare të mëparshme, me një fond limit prej 39.2 miliardë lekësh, që përkthehet në rreth 393 milionë euro. Ky port i ri do të ndërtohet në kuadër të zhvendosjes së aktivitetit tregtar nga Porti i Durrësit, i cili do të shndërrohet në një projekt luksoz marina dhe rezidencial – “Durrës Yacht Marina” – në bashkëpunim me investitorin nga Emiratet, Mohamed Alabbar. Modeli i zhvillimit të zgjedhur për Porto Romanon është modeli “C2”, që parashikon ndërtimin e portit përgjatë vijës bregdetare dhe jo në det, siç ishte alternativa “C1”. Sipas prezantimeve të mëparshme, projekti do të ketë një financim të përzier, ku 46% e fondeve do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër prej 54% nga partnerë privatë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e partneriteteve publike-private (PPP).

Gjatë prezantimit të projektit, kompania këshilluese Royal Haskoning DHV theksoi se investimi është i një rëndësie strategjike për vendin dhe për rrjedhojë kërkon një angazhim të madh nga vetë shteti shqiptar në financim dhe realizim. Në këtë sfond, përplasja e fundit ligjore me kompaninë franceze ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe standardet e ndjekura në procesin e tenderimit. Duke qenë se në lojë janë interesa të mëdha ekonomikë dhe diplomatikë, pritet me interes se si do të reagojnë autoritetet shqiptare dhe si do të zhvillohet më tej kjo procedurë.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading