KAS çon në rinumërim edhe Durrësin, hapen kutitë e diasporës, ja kush rrezikon
Rigels Seliman
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) ka marrë një vendim bombastik që po trondit skenën politike dhe madje po i fut të “dridhurat” politikanëve, ku afro 250 kuti votimi në qarkun e Durrësit do të hapen për rinumërim, përfshirë për herë të parë votat e diasporës. Ky vendim vjen pas kërkesës së Partisë Demokratike dhe kandidatit Aulon Kalaja, që pretendon për manipulim votash dhe vjedhje të mandatit nga brenda forcës politike sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Kush rrezikon dhe kush mund të përfitojë?
Në Durrës, koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” siguroi 6 mandate, prej të cilave 5 nga lista e mbyllur dhe 1 nga lista e hapur. Mandati i listës së hapur shkoi për Arjan Ndojën me 8249 vota, por ky tashmë është në rrezik, pasi Aulon Kalaja ka marrë 7291 vota, ndërsa Andia Ulliri ka 5601 vota dhe shpreson të përfitojë nga rinumërimi.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste fitoi 8 mandate në këtë qark: 5 nga lista e mbyllur dhe 3 nga lista e hapur. Fitues nga lista e hapur janë Arkend Balla me 20,718 vota, Ani Dyrmishi me 13,727 vota, dhe Etelva Budini me vetëm 4910 vota, e cila përfitoi mandatin duke lënë jashtë Ilir Ndraxhin, që kishte 8244 vota, për shkak të mënyrës së llogaritjes së mandateve sipas Kodit Zgjedhor (Kuotata Gjinore). Por pas vendimit të KAS, edhe Budini rrezikon mandatin nga Dorina Laçi, e cila ka 3711 vota, dhe me rinumërimin e votës së emigrantëve, gjithçka mund të përmbyset.
Rinumërimi dhe ndikimi
Por vendimi i KAS përfshin kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22, të kërkuara nga PD, si dhe 60 kuti të tjera të kërkuara nga Kalaja. Rinumërimi do të përfshijë 40% të totalit të kutive në qarkun Durrës, ndërsa për momentin po pritet radha pas qarqeve Tiranë, Fier dhe Dibër, ku është urdhëruar rinumërimi më parë. Në total, bëhet fjalë për një precedent të rrallë zgjedhor, ku votat e diasporës hapen dhe numërohen për herë të dytë, duke e kthyer këtë betejë elektorale në një duel të hapur për mandate që mund të ndryshojnë ekuilibrat politikë. KAS gjithashtu ka rrëzuar ankesat për qarqet Vlorë dhe Berat, duke çuar në 6 numrin e qarqeve ku ka përfunduar shqyrtimi i ankesave dhe janë çuar për vendim në Kolegjin Zgjedhor. Pra e gjithë kjo tregon se tashmë sytë janë tek Durrësi, që po kthehet në fushëbetejën kyçe të paszgjedhjeve, me mandate që mund të ndërrojnë duar dhe të rikompozojnë hartën politike të Parlamentit të ardhshëm.
Detajet nga mbledhja e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve
Konkretisht afro 250 kuti votimi të qarkut Durrës do të hapen nga e para dhe do të rinumërohen me kërkesë të demokratëve. PD përdori sërish dy anëtarët e saj për të hapur kutitë, por për qarkun bregdetar numërimi për herë të dytë nuk do të bëhet për të gjithë zonën zgjedhore. KAS-i vendosi dje që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga Partia Demokratike, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja. Ky i fundit po e bën betejën i ndarë nga PD-ja, e cila nuk e mbështeti në pretendimin se kandidati tjetër i saj, prokurori Arjan Ndoja i ka marrë padrejtësisht votat. Kalaja u ndihmua me vulë e firmë nga Partia Lëvizja e Legalitetit dhe me kërkesë të tij do të rinumërohet e gjithë vota e diasporës për qarkun Durrës, duke shënuar kështu kutitë e para që hapen për së dyti për numërim të votës së emigrantëve. Ende nuk ka një datë për hapjen e kutive të Durrësit, i cili duhet të presë radhën pas qarqeve: Tiranë, Fier e Dibër. Në total, rinumërimi do të përfshijë 40 përqind të totalit të kutive. Në të njëjtën ditë, me shumicë votash, KAS vendosi të rrëzojë ankesat e PD-së dhe la në fuqi zgjedhjet e 11 maj për qarqet Vlorë dhe Berat. Kështu, shkon në 6 numri i qarqeve ku Komisioni i Ankesave ka përmbyllur shqyrtimin duke i hapur rrugë dërgimit në Kolegjin Zgjedhor. Duke dëshmuar edhe një herë, se pavarësisht se PD mund të përdorë dy anëtarët e saj për të hapur kutitë e për të shtyrë procesin, në fund, kur vjen puna tek përsëritja e zgjedhjeve, vendimet i merr PS e cila ka shumicën me 3 anëtarë në KAS. Tirana, Fieri, Durrësi e Dibra janë në pritje të rinumërimit, ndërsa Elbasani dhe Shkodra janë në proces dhe ende KAS nuk ka folur nëse do të ketë rinumërim ose jo. KQZ do të finalizojë rezultatin e zgjedhjeve vetëm kur edhe Kolegji Gjyqësor Zgjedhor të jetë shprehur për të gjitha ankimet.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e KAS për Durrësin?
Dje u dëgjuan në KAS edhe provat e depozituara nga kandidati Aulon Kalaja, pasi ka shqyrtuar filmimet e pamjeve nga KQZ në qendrat e numërimit, ku pretendon devijim votash jo vetëm ndaj tij, por edhe të 13 kandidatëve të tjerë. Kalaja është përfaqësuar në ankimim nëpërmjet subjektit Partia Lëvizja e Legalitetit. Një tjetër kandidate që ka ankimuar po për këtë qark, është edhe Ilirjana Kuçana. Përfaqësuesi ligjor i Kalasë lexoi të gjitha momentet dhe pamjet ku votat në ekran lexoheshin ndryshe dhe në procesverbal ishte shënuar ndryshe. Në shumicën e rasteve ai evidentoi se votat i ishin shtuar kandidatit fitues të listës së hapur më 11 maj për PD në Durrës, ish-prokurorin e shkarkuar nga vetingu, Arjan Ndoja. “Në një rast kemi evidentuar se në ekran shfaqen 31 vota për kandidatin Arjan Ndoja dhe në procesverbal na rezultojnë 37 vota. Ka raste edhe kur u janë hequr e shtuar kandidatëve të tjerë. I kemi me minuta dhe kohë në 69 kuti që kemi verifikuar deri tani. Në KZAZ nr. 21, qv 1361, tavolina 1, kemi konstatuar nga leximi që i është bërë tabela nuk përputhet me proces-verbalin, ka lëvizuar vota, 4 fletë votimi për Aulon Kalanë, në procesverbal janë pasqyruar 2 vota, për kandidatin Hoxha 3 vota nga leximi në pamje, në proces-verbal 2 vota, për kandidatin Ndoja në ekran 20 vota, në tabelë, proces verbal 25 vota. Kandidatit Ndoja i shtohen vota dhe në një qendër tjetër, nga 12 në ekran, në proces-verbal 15 vota”, tha përfaqësuesi.
Diskutimet
Por anëtari Ilir Rusmali i kërkoi shpjegime nëse ky trend dhe verifikim çonte në ndryshimin e rezultatit dhe dyshimin e arsyeshëm se Kalasë dhe të tjerëve u ishin hequr vota sa për ndryshimin e rezultatit. “A keni prova se ka një trend që tregon se çon në ndryshimin e rezultatit?”, tha mes të tjerash Rusmali duke iu drejtuar Kalasë dhe përfaqësuesit të tij. Dhe përgjigja ishte se “po, ndaj kërkojmë hapjen e të gjitha kutive”. Kalaja vetë u shpreh se kishte dyshime të forta me provat e deritanishme se ka devijim rezultati, ndaj kërkoi jo vetëm hapjen e 69 kutive për të cilat dorëzuan prova, por për të mbi 500 kutive në qarkun e Durrësit, pra në total. “Kam qenë i pari kandidat ndërkohe që po numëroheshin votat, kam ardhur dhe kam bërë ankimim, sepse e kam parë çfarë po bëhej në KQZ, pamjet më janë vënë në dispozicion me kaq vonesë, e kam bërë jo për mandat, por për transparencë, e kam bërë për t’u vendosur si gur themeli për kandidatët e tjerë, janë vota që më janë shpallur të pavlefshme, janë rritur në mënyrë artificiale votat për një kandidat, dhe i janë marrë vota edhe kandidatëve të tjerë. Nuk ju bën përshtypje?”, tha Kalaja mes të tjerash. Përfaqësuesi i Kalasë solli si precedent Tiranën, ku vetëm me disa fakte u vendos hapja e të gjitha kutive. KAS kërkoi më shumë prova konkrete në lidhje me shifrat dhe trendin që konfirmonte ndryshim rezultati. Kalaja e sfidoi Komisionin, duke i kërkuar që nëse i linin kohë, ata ishin vetë gati që t’i verifikonin të mbi 500 kutitë në qendra votimi filmimet që kishin marrë me USB dhe më pas t’ia dorëzonin me “Timecod”.
Verifikimet
Më pas u kalua te verifikimi live i filmimeve për disa nga kutitë, ku u gjetën edhe disa parregullsi, të konfirmuara pas rifillimit të mbledhjes edhe nga administrata e KQZ. “Po, nga verifikimi që u bë u konstatua se në një kuti votimi, kandidati Kalaja në ekran ka 4 vota dhe në procesverbal janë shënuar 2 vota. Është edhe një rast i dytë”, u shpreh drejtoresha e KQZ, Pavlina Doçaj. Përfaqësuesit e KAS u shprehën se kjo rrugë mbetet që të zgjidhet nga SPAK me kallëzim për mënyrën se si ishte vepruar në rastet ku u gjetën parregullsitë. “Patjetër, ajo vjen më pas. Unë e kam thënë e premtuar që në fillim, është procedurë që do ndiqet. Nuk bëhet vetëm për mua. Por si kjo kutia këtu që konstatuam, ku kam marrë 4 vota e më janë shënuar 2, ka edhe të tjera, se vijon te kutitë e tjera”, tha Kalaja. Përfaqësuesja e PS, Elena Xhina u shpreh se provat dhe pretendimet e paraqitura nuk të çojnë te ndryshimi i rezultatit dhe pavlefshmëria e tij që të çon në përsëritje, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së.