Aksident i trefishtë në aksin Tiranë-Durrës, viktimë mbeti pronari i “Auto Ajazi”
Flobert Ajazi, pronari 35 vjeçar i “Auto Ajazi” ka ndërruar jetë mëngjesin e të premtes në dalje të Vorës, pasi është përfshirë në një aksident të trefishtë.
Ajazi ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa dy pasagjerët e tij ndodhen në spital.
“Rreth orës 08:30, në dalje të Vorës, janë përplasur automjetet me drejtues shtetasit B. G., F. H. dhe F. A. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi Flobert Ajazi, 35 vjeç dhe janë dëmtuar 2 pasagjerë në automjetin që drejtonte ai”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I riu me origjinë nga Dibra jetonte mes Shqipërisë dhe Koresë së Jugut, ku kishte origjinën biznesi i tij për importimin e makinave të përdorura dhe tregtimin më pas në vendin tonë.