SPAK “qep” dosjen për Eco Park dhe hap hetimet për Portin e Durrësit, Altin Dumani në “skaner” aferat me energjinë..

0
image

Plot 5 orë zgjati raportimi i fundit i Altin Dumanit në Komisionin e Ligjeve si kryetar i Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai i parashtroi dje punën e institucionit për vitin 2024, teksa vlerësoi si arritje goditjen e krimit të organizuar në veçanti. Akuzave të opozitës iu përgjigj se për të dhe çdo koleg të tij s’ka rëndësi asnjë emër por vetëm prova. Dumani, deklaroi gjithashtu se hetimet për projektin “Procedimi për Eco Park është në fazën e hetimit paraprake. Nga infot që kam, hetimet janë drejt përfundimit”, tha Dumani. Kjo deklaratë u bë në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan sqarime për ecurinë e hetimeve ndaj një projekti që, sipas tyre, ka përfituar padrejtësisht miliona euro nga buxheti i shtetit. Opozita ka akuzuar prej kohësh se tenderi i ‘Eco Park Durrës’, me vlerë rreth 19 milionë euro, përfundoi në duart e studios së  Rea Ramës, vajzës së bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama. Sipas denoncimeve publike, kjo përbën konflikt të qartë interesi dhe kërkon hetim të plotë për përfshirjen e kryeministrit dhe të afërmve të tij. Megjithatë, në raportimin e tij, Dumani nuk dha detaje nëse Edi Rama është marrë në pyetje apo është përfshirë në ndonjë verifikim të hetimit.

Afera e Frida Krifcës me fondet e bujqësisë dhe Porti i Durrësit

Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve bëri me dije gjithashtu se po hetohen abuzimet me fondet e IPARD ku e rrezikuar nga prangat është Frida Krifca dhe vartësit e saj te AZHBR. Dumani nuk përmendi emra, por tha se po bashkëpunojnë me prokurorët europianë për këtë qëllim. Ai u shpreh shkurtimisht se çështja është në fazën e hetimit dhe nuk mund të ndajë asgjë më tepër. “Drejtoreshën e OLAF e kisha në zyrën time. Është bërë publike si takim. Shprehu vlerësimin për takimin që kemi patur mes zyrave tonë, kemi shkëmbyer informacione të shumta. Ka qenë dhe vazhdon dhe do vazhdojë për çështje të ndryshme nga të cilët, marrin në mbrojtje fondet e BE. Fonde që dyshohet se janë keqpërdorur nga administrata shqiptare. Çështja është në hetim që ju përmendni. Çështja është në fazën e hetimit dhe nuk mund të ndajë asgjë më tepër. SPAK ka hetimet aktive për përdorimin e fondeve të BE-së, bashkëpunim me zyrën europiane kundër mashtrimit është intensiv”, tha ai. Ndërsa Dumani konfirmoi gjithashtu se janë hapur hetimet për aferën miliardëshe me Alabarin në Portin e Durrësit.  “Porti i Durrësit’  ka nisur procedim penal dhe jemi në fazën e hetimit paraprak”, u shpreh kreu i SPAK.

Aferat me energjinë

Dumani, konfirmoi dje gjithashtu se administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Erald Elezi, është marrë i pandehur për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. “Është fakt publik, ish-drejtori i Rrugëve është marrë i pandehur dhe çështja e tij është dërguar për gjykim. Ndërkohë, edhe drejtori aktual i KESH është marrë i pandehur”, deklaroi Dumani, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PD-së, Belind Këlliçi. Provat ndaj Elezit janë siguruar nga materialet e sekuestruara në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ndodhet në burg që prej marsit 2024, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Bëhet fjalë për të njëjtin hetim ku është marrë i pandehur edhe drejtori aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Gentian Gjyli. Një ndër pyetjet e opozitës për Dumanin ka qenë dhe hetimi për “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, ku në qendër të skandalit qëndron ministrja Belinda Balluku. “Tigri 1 dhe Tigri 3 në rasat se evidentojmë prova do ushtrojmë ndjekje penale në çdo rast”, tha Dumani.

Dumani mesazhe të forta dhe për grupet kriminale

Drejtuesi i SPAK, bëri të ditur se prokurorët e posaçëm janë kërcënuar nga organizatat kriminale gjatë hetimeve për goditjen e tyre. Ai u përgjigj pyetjeve të deputetit demokrat Klevis Balliu, duke u shprehur se pavarësisht kërcënimeve nga organizatat kriminale, SPAK nuk është ndalur. “Prokurorët kanë rënë pre e kërcënimit nga organizatat kriminale. Kërcënime serioze jo sa për t’u thënë. Megjithatë prokurorët e kanë përballuar dhe janë përballur me ta duke ndërtuar ngritje penale të suksesshme”, tha drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. Ky i fundit, më herët gjatë fjalës së tij theksoi se Prokuroria e Posaçme evidentoi 16 grupe kriminale shqiptare me veprimtari ndërkombëtare dhe goditi 10 prej tyre. “Janë aktive në disa shtete të BE, si Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Norvegji. Këto grupe blejnë kokainë në Amerikën Latine. Grupet janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik. Gjatë 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë provuar në gjykatë për aktivitetin e tyre. Karakterizohen nga strukturë hierarkike, përdorimi i komunikimeve të koduara, dhe pastrimi i parave. Janë aktive në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë”, tha ndër të tjera Dumani.

About The Author

ler nje koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Discover more from Dyrrahu News

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading