Belinda Balluku: Porti i ri i Durrësit do të jetë më i madhi në rajon dhe bazë e NATO-s në Mesdhe
Gjatë prezantimit të Liburn Aliut si drejtues i Autoritetit Portual Durrës, zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi rëndësinë strategjike të projektit të portit të ri në Porto Romano, i cili pritet të ndryshojë hartën e logjistikës detare në rajon.
“Jemi në fazën e fundit të përfundimit të projektit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Në 31 janar do të kemi fituesin e garës ndërkombëtare që udhëhiqet nga Royal Haskoning”, deklaroi Balluku, duke shtuar se interesi për projektin ka qenë i lartë, me pesë kompani të huaja në garë.
Sipas saj, kantieri i ndërtimit pritet të nisë brenda vitit 2026, ndërsa brenda tre viteve porti do të jetë gati për dorëzim.
“Ky do të jetë porti më i madh në Ballkanin Perëndimor, që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, shtoi ajo.
Në përfundim, Balluku e cilësoi projektin si një hap historik për Shqipërinë, duke nënvizuar edhe rolin e tij strategjik në sigurinë rajonale: “Porti i Durrësit parashikohet të jetë edhe një bazë e NATO-s, e vendosur në zemrën e Mesdheut, në Shqipërinë aleate të besueshme të kësaj Aleance”.