Durrës. Lëvizja Bashkë proteston para bustit të Mujo Ulqinakut: Ky nuk është më një shesh publik, është një fasadë pushteti. 7 prilli është i atyre që rezistojnë, jo i atyre që shfrytëzojnë.
Lëvizha Bashkë dhe kandidati për deputet Artan Kacani që prin listën e saj për qarkun e Durrësit ka zgjedhur që në përvjetorin e rezistencës kundër pushtimit fashist më 7 prill 1939, të japë një mesazh të një lloji tjetër para bustit të Mujo Ulqinakut.
Sot është 7 Prilli- ka theksuar në fjalën e tij Kacani Një ditë që dikur i përkiste popullit. Sot i është vjedhur nga pushteti.
Dhe janë pikërisht këta – ka vazhduar më tej ai që me të njëjtën lehtësi që hedhin kurorën, ashtu edhe firmosin për betonizimin e qytetit, duke shuar vendet e kujtesës dhe rezistencës.
Ja edhe fjalimi i plotë i Artan Kacanit mbajtur në sheshin para bustit të heroit të rezistencës antifashiste Mujo Ulqinaku:
Sot është 7 Prilli. Një ditë që dikur i përkiste popullit. Sot i është vjedhur nga pushteti.
Në këtë shesh, përballë bustit të Mujo Ulqinakut – heroit që i doli përballë pushtuesit fashist me pushkë në dorë – vijnë çdo vit përfaqësuesit e qeverisë me lule në dorë dhe fjalë të zbrazëta në gojë.
Me të njëjtën lehtësi që hedhin kurorën, ashtu edhe firmosin për betonizimin e qytetit, duke shuar vendet e kujtesës dhe rezistencës.
Kullat, “Veliera” prej kartoni me një kosto 12 milionë euro, braktisja dhe rrënimi i ndërtesave historike – janë pjesë e së njëjtës logjikë të pushtetit që e ka tjetërsuar këtë shesh në emër të interesave te ngushta ndaj qytetin.
Ky nuk është më një shesh publik. Është një fasadë pushteti.
Një shembull i pastër i mënyrës se si e majta në emër – Partia Socialiste – është kthyer në një makineri ndërtimi që shkatërron kujtesën dhe pasuron klientelën.
Kjo është fytyra e vërtetë e regjimit që kërkon mandatin e katërt: një pushtet që ndërton pa pyetur, shpenzon pa llogari, dhe përvetëson historinë për të fshehur krizat që vetë ka shkaktuar.
Mujo Ulqinaku nuk ishte njeri ceremonish. Ai ishte njeri veprimi. Ai nuk priti fjalime nga lart, por veproi për të mbrojtur qytetin e vet. Ai përfaqëson guximin qytetar, jo protokollet boshe të një qeverie që nuk ka më asgjë të përbashkët me idealin e së majtës.
Ne nuk jemi këtu për të kujtuar të shkuarën me nostalgji. Ne jemi këtu për të mbrojtur kuptimin e saj. Dhe për të thënë troç: kujtesa nuk është dekor. Kujtesa është përgjegjësi.
7 Prilli është i atyre që rezistojnë. Jo i atyre që shfrytëzojnë.
Ne, si Lëvizja Bashkë, jemi këtu për të ndërtuar një shoqëri të ndershme – që nuk vjen në pushtet për të pastruar kujtesën, por për të ndërtuar të ardhmen mbi drejtësi, solidaritet dhe guxim politik.
Ky nuk është fundi i historisë. Ky është fillimi i një rezistence të re.