Durrës.Anija muze ‘Art Explora’ ankorohet në port, afron një sërë aktivitetesh artistike e kulturore, Rama, Sako, ambasadori i BE dhe ministri francez Haddad të pranishëm në hapjen e saj
Pas anijes historike “Amerigo Vespucci”, në Portin e Durrësit është ankoruar edhe anija muze “Art Explora”, për të ofruar një sërë aktivitetesh artistike e kulturore, si festivale, ekspozita, koncerte dhe shfaqje të ndryshme, duke synuar të sjellë artin më afër publikut shqiptar.
Në hapjen e kësaj anije muze për publikun shqiptar ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ministri i Francës për Europën, Benjamin Haddad dhe zëvendësministrja e Kulturës, Elira Pipa.
Në fjalën e tij, Rama tha se ankorimi në Shqipëri i anijes muze “Art Explora” shihej si diçka e parealizueshme më parë, ndërsa theksoi se vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë në vitin 2024, ishte e para “që prej periudhës së pushtimit osman”.
Kur flasim për flamurin francez në këtë kohë bëhet diçka më normale, sepse e ndjenim larg Francën, e shikonte Ballkanin me një lloj distance.
Dua të them se që prej mbërritjes së presidentit aktual në Elize, ka një kureshtje, interes dhe vëmendje drejt Shqipërisë. Patëm dhe vizitën e parë të një presidenti francez që prej periudhës së pushtimit osman. Të thuash që nga krijimi i shtetit është e shkurtër. Për herë të parë një president francez na nderoi me ardhjen e tij dhe do na nderoj përsëri së shpejti”,- tha Rama ndër të tjera.
Gonzato e quajti Durrësin “dritaren” e Mesdheut, ndërsa vlerësoi projektin e veçantë që u paraqitet për herë të parë shqiptarëve.
“Është kënaqësi që jam këtu dhe dua të përgëzoj Art Explora që e realizoi këtë projekt kaq të veçantë dhe të bukur.
Roli ynë ka qenë të ofrojmë hapësirën e duhur për ta – për të menduar, për të krijuar – dhe shumë shpejt do t’ia prezantojmë publikut programin e këtij aktiviteti. Janë aktivitete që do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë.
Dua të përgëzoj Art Explora për mënyrën origjinale me të cilën na sjell vizionin tuaj, historinë mesdhetare. Inkurajoj Bashkinë e Durrësit dhe Qeverinë e Shqipërisë që të investojnë në art. Kultura dhe arti janë motori i duhur për zhvillimin e turizmit dhe përparimit shoqëror”,- tha ndër të tjera Gonzato.
Zëvendësministrja e Kulturës, Elira Pipa tha se ky festival simbolizon më shumë se një festival artistik, por forcon edhe bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtar.
“Vendosim edhe Shqipërinë në hartën kulturore të Europës.
Kemi bashkëpunim të shkëlqyer edhe me ambasada.
2300 aktivitete më 2024, më 2025 parashikohet mbi 3500 evente.
Kemi pasur mbi 3 mln vizitorë dhe turistë të huaj vitin e kaluar për qëllime kulturore.
Por do e kthejmë Shqipërinë në një destinacion kulturor dhe turistik.
Uroj që ky aktivitet Art-Explorer, të mos mbesë i vetmi dhe të jetë vijim i projekteve të tjera”,-tha Pipa ndër të tjera.
Edhe ministri i Francës për Europën, Benjamin Haddad, tha se ngjarje të tilla artistike dhe kulturore theksojnë dëshirën e Shqipërisë për unifikimin e saj me Bashkimin Europian, edhe në art.
“Është kënaqësi e madhe që jemi këtu në Art-Explora në këtë ditë me diell, dhe i falenederoj të gjithë të pranishmit, organizatorët dhe Frederikun. Dje ishim edhe në inaugurimin e këtij aktiviteti.
Intereante se si e nxirrni në pah kulturën tuaj dhe artin, por edhe bashkëpunimi me Francën. Kjo tregon rrugën dhe shpejtësinë e shkuarjes drejt BE-së. Orientimi i saj drejt të ardhmes dhe Europës është i dukshëm dhe kjo vihet re edhe në marrjen përsipër të rrezikut, sikurse edhe në këtë projekt.
Ky det ka ndarë se sa bashkuar njerëzit, por kjo po i bashkon, edhe pse mbetet ende burim tragjedish. Një fëmijë thoshte për ju Mesdheu është blu, por për ne është me ngjyrë të kuqe.
Historinë dhe kujtesën e pashë edhe te Piramida, dikur një mauzeloum, ku u punua me bahskëpunim në këtë rrugë europiane.
Po shoh tre flamurë tani, atë shqiptar, të BE-së dhe të Francës dhe më duket diçka e bukur dhe e mrekullueshme”,- tha ministri francez.
Nga pranvera 2024 kjo anije ka nisur një udhëtim që do të ndalet në 15 vende të Mesdheut deri në vitin 2027, që janë djep i qytetërimeve të mëdha dhe ndërthurjes së kulturave, duke ndërlidhur artistë, kuratorë ekspozitash, organizata të kulturës, edukimit dhe OJF që të gjithë së bashku do të përfytyrojnë një vizion të ri të Mesdheut.
Pas gjashtë ndalesash në vitin 2024, Festivali Art Explora kreu ndalesën e parë për vitin 2025 në Durrës ku do të qëndrojë nga data 10 deri në 21 prill.
Plotësisht falas, fetivali do të zhvillohet në bordin e anijes së parë muze në botë si edhe në pavijonet e ekspozitave në kalatë. Programi i aktiviteteve të festivalit do të kombinojë ekspozita, eksperienca të realitetit virtual, konferenca, shfaqje filmash, instalacione të ndryshme, lexime poezish, koncerte, me ture të përshtatura për të gjithë llojet e publikut, përfshirë nxënësit dhe shoqatat.
Aktivitetet përgjatë 10 ditëve do të ndalen në Durrës dhe në Tiranë, një pjesë e të cilave në anijen muze dhe në pavijonet e ekspozitave.