Durrës. Në muzeun etnografik punimet tradicionale po restaurohen duke ruajtur shtresat autentike të ndërtesës historike
Nga Julia Vrapi
Muzeu Etnografik në Durrës, që është i vendosur në shtëpinë muze të aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu është në një proces restaurimi. Muzeu ishte dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019 dhe po restaurohet me fonde të Bashkimit Europian. Vlera e këtij objekti nuk është vetëm fakti se aty ka banuar aktori i famshëm shqiptar Aleksandër Moisiu, por gjithashtu mbart vlera urbanistike, arkitekturore dhe historike. Dëmtimet e shumta që mori banesa dy katëshe me çardak, e ndërtuar në qendrën historike të qytetit, detyruan autoritetet që ta mbyllin për vizitorët dhe turistët. Prej disa kohësh ndërtesa i është nënshtruar ndërhyrjeve të restaurimit si pjesë e programit “EU4Culture” që financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Punimet tradicionale në dru, çatia dhe zbukurimet e detajuara po restaurohen me kujdes të veçantë, duke ruajtur të gjitha shtresat autentike të kësaj ndërtese historike”, thuhet ndër të tjera në faqen e programit “EU4Culture”, që ka ndarë dhe foto të punimeve që po kryhen në këtë objekt. Programi “EU4Culture” ka në qendër rinovimin dhe rijetësimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë euro. I bazuar në parimin “Rindërtojmë më mirë”, “EU4Culture” përqendrohet në rinovimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore në përputhje me Kuadrin e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë
Objekti monument kulture që nga 1973
Objekti është klasifikuar si monument i kategorisë së parë të shpallur në vitin 1973, i shquar për tërësinë e vlerave autentike që ka. Ndërtesa e ndërtuar në shekullin XIX është shembulli i fundit i mbetur në Durrës i një ndërtese dykatëshe me ballkon të hapur. Në fillim të viteve ’80 (1982), ajo u shndërrua në Muze Etnografik, duke ekspozuar objekte tradicionale të jetës së përditshme shqiptare, tekstile të qëndisura dhe punime në bakër, si dhe një pjesë të veçantë dedikuar trashëgimisë së Moisiut. Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland“), të Wedekind-it (“Fruhlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”). Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.