A u anulua pritja zyrtare? Anija luftarake amerikane mbërrin në Porto Romano
Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar mbërritjen në Durrës të anijes luftarake amerikane “USS MOUNT WHITNEY”, teksa kjo është hera e parë që një anije luftarake amerikane mbërrin në Porto Romano.
“MIRË SE VJEN NË SHQIPËRI, USS MOUNT WHITNEY! Kjo është ndalesa e PARË e një anijeje luftarake amerikane në Porto Romano. Mirëpresim këtë fazë të re në modernizimin ushtarak të Shqipërisë dhe këtë hap të radhës në partneritetin e fortë mes vendeve tona.” – shkruan Ambasada amerikane në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe foto.
Kujtojmë se të shtunën, ambasada amerikane njoftoi anulimin e koncertit “Flagship”, me rastin e ardhjes së anijes USS Mount Whitney, flamurtarja e Flotës së 6-të të SHBA-së, pa dhënë një aryse konkrete.
Ndërkohë në media ishte raportuar edhe për një pritje zyrtare, ku ishte planifikuar të merrnin pjesë e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Nancy VanHorn, kryeministri Edi Rama , ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, si dhe Komandanti i Forcës Detare. Kjo gjë sot duket se nuk ka ndodhur.
USS Mount Whitney është një Anije Komanduese Amfibe e Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe shërben si anija kryesore e Flotës së Gjashtë të SHBA-së. Kjo anije mbështetur operacionet detare dhe diplomacinë detare në Detin Mesdhe, Detin Baltik dhe detet e Afrikës.

